Archive | Arsim / Kulturë

Përurohet objekti modern i Shkollës së Muzikës në Gjakovë

Posted on 08 July 2010 by Gjakova PRESS

images

Nëse në Kosovë  është prodhuar art, burimi është   Gjakova

Përurimi i objektit të ri të Shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, për të cilin Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë investoi mbi një milion euro, solli gëzim të madh për 250 nxënësit dhe për mësimdhënësit e kësaj shkolle. Shkolla e re ka një sipërfaqe prej 1.420 metra katrorë me 9 klasa mësimi, 20 dhoma të mësimit individual, një dhomë për dëgjim të muzikës, sallë koncertale me 270 ulëse, sallë të arsimtarëve dhe hapësira të tjera përcjellëse.

Në përurimin solemn të këtij objekti modern mori pjesë edhe ministri i MASHT-it, Enver Hoxhaj, i cili këtë shkollë e vlerësoi si një arritje të madhe. Ngado që mysafirët vizitonin ambijentet e shkollës së re të  muzikës, ndjeheshin tingujt e muzikës që vinin nga nxënësit e kësaj shkolle që ishin vendosur nëpër korridoret…Ata me këngët dhe interpretimet tjera në piano e viloinë dëshmonin gëzimin e madh që u kishte sjellë ky moment, I paharruar I inagurimit të shkollës.
“Gjakova është vatër e kulturës në Kosovë prandaj e ka merituar një objekt të tillë, ndërsa ndërtimi i kësaj shkolle paraqet një ngjarje të veçantë, sepse kjo është vatër arsimore e ndërtuar në Kosovën e re, shtet i pavarur”, tha Hoxhaj, duke theksuar se brezave të rinj nga dita në ditë po u ofrohen kushte më të mira për mësime dhe studime.
Sipas tij, nga klasat e kësaj shkolle do të dalin profesionistë, të cilët do të vazhdojnë traditën e qytetit për muzikën.
Ai tha se për të është një ditë e veçantë,  pasi që në javën e parë të nisjes së detyrës së ministrit të Arsimit, ai kishte vizituar objektin e vjetër të kësaj shkolle.
“Kjo shkollë është një falënderim për shumë gjenerata të qytetarëve të Gjakovës, për ata që kanë emër të madh e për ata që ndoshta në publik janë të panjohur”, tha ai.
Sipas Hoxhës ky objekt është edhe një dëshmi se si po ecën përpara Kosova.
“Kjo shkollë është një dëshmi se ku kemi qenë, kush jemi dhe ku jemi. Është një dëshmi e një rrugë të gjatë që kanë ndjekur qytetarët e Gjakovës dhe Kosovës.
“Popujt në situata të krizës, ndoshta nuk mund të prodhojmë  shumë shkencë, por në situata të krizës  mund të prodhojmë art. Nëse në Kosovë është prodhuar diku art, padyshim se ky art dhe kjo kulturë është  prodhuar në Gjakovë. Prandaj, jam shumë i nderuar që gjendem më monumentin e artit dhe të kulturës, që në Kosovë e ka emrin Gjakovë dhe kjo shkollë i ka takuar një qyteti që i ka dhënë shumë Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, pas inaugurimit.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të premten në darkë ka marrë një dhuratë nga këngëtari Ismet Peja, një CD të fundit të tij. Ndërsa, gjatë ceremonies, ai e ka quajtur Ismet Pejën “Pavaroti i Kosovës”.
Në kompletimin e shkollës me vegla muzikore dhe ngrohje solare në një vlerë prej 150 mijë euro ka ndihmuar edhe çifti zviceran, Dorethea dhe George Fankhauser- Ritter, për të cilët ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Lukas Beglinger, tha se “janë dëshmia më e mirë e përkrahjes edhe në fushën e kulturës të popullit zviceran për Kosovën”.
Kuvendi Komunal i Gjakovës për këtë objekt ka ndarë parcelën në qendër të qytetit, ndërsa kryetari i Komunës, Pal Lekaj duke falënderuar MASHT-in për këtë investim dhe donatorët zviceran, theksoi se “investimi në vepra të artit është investim në ardhmëri”.
Lekaj rikujtoi traditën e madhe të Gjakovës për kulturën dhe talentët e shumtë që i kanë dhënë skenës shqiptare dhe ndërkombëtare vlera të mirëfillta artistike.
Ai ka kujtuar disa prej emrave që kanë dal nga kjo shkollë që tashmë kanë zënë vende pune deri në filarmoninë e famshme të Vjenës, si Shkelzen Doli, Rrauf Dhomi, Zeqirja Ballata,   etj, ndërsa vet Gjakovën e ka vlerësuar si vend ku ruhet dhe kultivohet tradita ngase në këtë qytet arti ka mbijetuar ngase ka patur krijues, muzikantë, poetë.
Lukas Begulngar, ambasador zviceran në Kosovë i cili ishte prezent ka falënderuar të gjithë që kanë ndihmuar për ndërtimin e këtij objekti pikërisht në dyzetvjetorin e themelimit të saj.
Me këtë rast u shfaq edhe një koncert solemn i orkestrës dhe korit të Shkollës së Muzikës.
Për të qenë programi akoma më i pasur artistikisht ishte përkujdesur vet drejtori i shkollës, prof.Astrit Pallaska që me Korin e Fëmijëve të Qytetit të dirigjuar nga ai por edhe me Korin e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” nën dirigjimin e prof. Klodina Kryeziu dhe me orkestrën e shkollës të dirigjuar nga prof. Pëllumb Vula ka sjellur tek publiku një ndjesi të posaçme artistike. Me vëmendje u ndoq edhe koncerti “Kosovaambient song” nga grupi zviceran “Broken Dreams” me këngëtaren e shquar Alesandra Prusa. Koncerti solli mesazhet ambientaliste të sjella nga fëmijët e Kosovës përmes këngëtares zvicerane e të kompozuara nga kompozitorët e Kosovës .

Çka thanë nxënësit për shkollën e re?

Fjolla Gllogjani: Jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj shkolle,  sepse është një objekt i mirë me kushte të veçanta.
Yllnor Kurti: Jam në instrumentin kitarë. Këto kushte të mira do të zhvillojnë edhe diturinë tonë për të ardhmen në instrumentet tona.
Arjana Krasniqi: Ndjehem e priveligjuar që jam nxënëse e kësaj shkolle, me standarde evropiane e cila është e shquar me talent të shumtë.
Gresa Rrahmani: Jam në instrumentin flaut dhe piano. Diçka e veçantë që është në shkollën tonë padyshim se është salla koncertale e cila na jep mundësi me komunikua me publikun. Një komunikim i tillë me publikun do të na ndihmojë shumë në profesionin tonë të ardhshëm.

Astrit Pallaska:
Gjakova ka pas  fatin të gëzoi një objekt që ka munguar për 40 vite. Jemi të vetmit në rajon me një objekt me të gjitha parametrat akustike dhe me sallën koncertale që është nevojë për çdo institucion muzikor.

Enver Hoxhaj:
Ndërtimi i kësaj shkolle të bukur është dëshmi e fuqishme e një Kosove moderne që po e ndërtojmë çdo ditë. Bota ka ndryshuar shumë dhe Republika e Kosovës po ndryshon çdo ditë. Kjo shkollë e re e përuruar bashkë me miqtë tanë, është edhe një dëshmi e asaj se:  ku kemi qenë, Kush jemi dhe Ku jemi?. Është një dëshmi e një  rrugë shumë të   gjatë që e kanë ndjek qytetarët e Gjakovës dhe të  Kosovës. Nëse në Kosovë diku është prodhuar art, padyshim se ky art dhe kjo kulturë është prodhuar në qytetin e  Gjakovës.

Pal Lekaj :
Edhe një vatër të diturisë po e përurojmë në Gjakovën e  traditës në kulturë, në qytetin e arsimit dhe krijimtarisë, në vendin ku ruhet dhe pasurohet trashëgimia shpirtërore. Edhe një partiturë në muzikalitetin e këtij qytetit prej të cilit pasqyrohen tiparet etnologjike, folklorike dhe artistike në bashkëkohësi. Këtu në Gjakovë ka një lidhje të hershme e të gjatë ky intelekt me krijuesit e këtij arti. Një shkollë muzikore e dalë nga këngëtarë dhe kultivues të saj vazhdojë ta ruaj traditën nga një emër dhe një gjeneratë në tjetrën me krijues që edhe sot janë bërë në art akademik, bëjnë këngë dhe janë argëtues të mirëfilltë.

Comments Off

PISHTAR I ARSIMIT KOMBËTAR,IBRAHIM FEHMIU

Posted on 08 July 2010 by Gjakova PRESS


Ibrahim Fehmiu

(1892-1951)


Në vargun e gjatë të  dijetarëve të shquar gjakovarë, hyn, pa dyshim, tërë shkëlqim, edhe Ibrahim Fehmiu.
Ibrahim Fehmiu ishte hoxhë, dijetar, një nga mësuesit e parë, pishtar i arsimit kombëtar, burrë trim, guximtar, atdhetar, një shembëlltyrë për çdo shqiptar…

Ibrahim Fehmiu lindi me 25 nëntor 1892, në Gjakovë. Rrjedh prej një familje tregtare, por që ishte e ndershme, arsimdashëse e besimtare.
Mësimet fillestare i kreu në mejtepin e Xhamisë së Gërçarëve, në Gjakovë, për t’i vazhduar në mejtepin e “Halil Efendisë”. Mësuesi i parë i tij ishte Hafiz Ymer Guta, (1860-1963) një hoxhë dijetar, atdhetar e luftëtar, që u përpoq tërë jetën për liri e bashkimin kombëtar.
Mësimet e larta i vazhdoi në Shkup, në shkollën e njohur “Dar-ul Mualiminë”, ku përveç lëndëve fetare, aty mësoheshin edhe njohurit shkencore, për t’u formuar si krijesë njerëzore…
Shkolla e Shkupit, “Dar-ul Mualiminë” ishte një nga shkollat më me emër në tërë rajonin, në vitët e fundit të Perandorisë Osmane. Në këtë shkollë mësuan, u edukuan, u arsimuan shumë shqiptarë nga Kosova, në veçanti nga Gjakova.
Nga Gjakova në këtë shkollë, përveç Ibrahim Fehmiut, kanë mësuar edhe Imam Beqir Maloki , Nimon Ferizi, Mulla Sadik Brovina, Baba Qazim Bakalli etj., që më vonë shërbyen si arsimtarë, hoxhallarë, baballarë, të gjithë atdhetarë, të cilët shërbyen me përkushtim, me devotshmëri, në Gjakovë, Kosovë dhe Shqipëri…
Sipas kujtimeve të Imam Beqir Malokit (1892-1985), të cilat i kam shënuar në banesën e tij, në Rromë, Itali, me 25 dhjetor 1972, :
“Ibrahim Fehmiu ka qenë nxënësi më i diciplinuem, më i zgjuem dhe më i shquem në shkollën “Dar-ul Mualiminë”, për këto cilësi nga Drejtoria e Shkollës ishte dekorue, kishte marrë mirënjohje, ishte lavdue. Kështu, Ibrahimi, qysh në kohën e Turkisë, ky djal,  ia zbardhi fytyrën jo vetëm Gjakovës, Kosovës, por krejt Shqipnisë…”
Imam Beqir Maloki,  tregonte, se: “Me Ibrahim Fehminë kemi qenë shokë të ngusht, të pandamë, si me na pas bo një nonë, ishin me një klasë, me një bangë…”
Pas diplomimit, në vitin 1912,  Ibrahim Fehmiu kthehet në Gjakovë, ku e fillon veprimtarinë e tij në disa lëmi.
Këshilli i Bashkësisë Islame, i asaj kohe në Gjakovë, e cakton imam, hoxhë, mësues e predikues në “Xhaminë e Gërçarëve”, aty ku ai i kishte marrë njohurit e para nga mësuesi i tij, Hafiz Ymer Guta.
Në “Xhaminë e Gërçarëve”, Ibrahim Fehmiu, përveç detyrave fetare,  zhvillonte edhe veprimtari kombëtare…
Kam njohur pleqë që thoshnin: “ Gjuhën shqipe me shkrue e me k’nue e kemi mësue në xhami. Në xhami, prej hoxhës, efenisë, Ibrahim Fehmisë,  kemi mësue me i thonë Nonë – Shqipnisë…!”
Në vitet 1912-1915, kur Gjakova, Kosova ishte pushtuar prej Malit të Zi e Sërbisë, me i thënë Nonë-Shqipnisë, në kohën e robërisë  aq barbare, dëshmohet hapur fryma e tij atdhetare…!
Në vitet 1916-1918, në “Kohën e Austrisë” gjatë Luftës së Parë Botërore, Ibrahim Fehmiu iu përkushtue çështjes edukativo-arsimore.
Në vitin 1918, kur u themelue Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, që pas dhjetë vjetësh u shndërrue në Mbretëria e Jugosllavisë, Ibrahim Fehmiu e shumë atdhetarë të tjerë, u detyruan të largohen e ia mësyen drejtë Shqipnisë…
Prej vitit 1918 deri në vitin 1929, sa jetoi në Shqipni, Ibrahim Fehmiu në shtetin e posa formuar shqiptar dha një kontribut të çmueshëm në administratë dhe në arsimimin dhe edukimin kombëtar…
Në vitin 1929, një vit pasi që Shqipëria u shpallë Mbretëri, Ibrahim Fehmiu kthehet në Kosovë, atëherë nën Jugosllavi dhe vendoset në Gjakovë.
Në vendlindje, në Gjakovë, kthehet i përmalluem, por xhandarët serbë të krajlit menjëherë e arrestuen. Pasi u krye arrestimi, filloi vuajtja, dënimi, burgimi….
Pasi vuajti burgun prej vitit 1929-1931,  në Valevë, menjëherë e internuen në Sarajevë. Në qytetin e Sarajevës,  ku jetoi me familje, deri në vitin 1939, përveç katër fëmijve që kishte, tri çika e një djalë, i lindën tre djem, Bashkimi, Arsimi dhe Bekimi…
Në vitin 1939 familjarisht shpërngulën në Shkodër, ku jetuan deri në vitin 1941, viti kur u shkatërrue ish-Jugosllavia, nga Gjermania…
Në vitin 1941, Ibrahim Fehmiu me zonjën Hedije e me tetë fëmijë, në Shkodër lindi fëmija i tetë, çikë, të cilën e emëroi Luljetë, u kthyen në Kosovë, u vendosën në Prizren, në më të bukurin vend, ku në vitin 1878  ishte mbajtur i madhërueshmi Kuvend….
Prej vitit 1941-1944, Ibrahim Fehmiu iu përkushtue, sërish, shkollës, arsimit, edukimit, si dikur, sepse siç thoshte, këto janë dritë, nur…
Pas vitit 1945, kur komunistët e morrën pushtetin, kur u bashkuen partizanë e çetnikë, Ibrahim Fehmiu, si shumë atdhetarë tjerë, shikohej si armik…U dënue si armik me një proces politik… !
Ibrahim Fehmiu, veterani, pishtari i arsimit kombëtar, me një proces politik, u dënue si armik e tradhtar…!
Pas burgut, Ibrahim Fehmiu nuk jetoi gjatë, me 19 dhetor 1951, në Prizren, ndrroi jetë, kaloi në jetën e vërtetë…Kaloi në jetën e vërtetë në moshën 59 vjeçare, duke mbetur shembëlltyrë për idealet kombëtare…
Dita e varrimit të tij nuk ishte ditë vajtimi apo ditë zije, por ishte një ditë frymëzimi, një ditë krenarie…! Mijëra qytetarë nga Prizreni, nga Gjakova, nga mbarë Kosova, e përcollën xhenazën e tij deri në xhami, ku u krye shërbimi fetar, ndërsa trupi i tij ishte i mbuluar me flamurin kombëtar. Trupi i tij i mbuluar me flamurin kombëtar, deri në varreza u përcollë me nderime nga mijëra shqiptarë,  për t’i dëshmue hapur pushtetmbajtësve komunistë se kush ishte tradhtar e kush atdhetar…
Ky jetëshkrim i shkurtër, kjo biografi, e paramendoj, se do të ketë mangësi nëse nuk shënohen emrat shqip të tetë fëmijëve të tij:
Besa, Shpresa, Afërdita, Luljeta, Bashkimi, Arsimi, Fatmiri dhe Bekimi.
Djali i madh, Bashkim Fehmiu ishte arkitekti i parë shqiptar…
Prof.Arsim Fehmiu doajen i sportit kosovar…
Prof. Fatmir Fehmiu ekspert i së Drejtës Kushtetuese
Aktori, Bekim Fehmiu i njohur në botën mbarë…

Shkruar nga: Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Comments Off

Gjakova do ta ketë shkollën e re “Kelmend Rizvanolli”

Posted on 21 May 2010 by Gjakova PRESS

Kelmend Rizvanolli

Familjet arsimdashëse  Rizvanolli dhe  Kusari i dhurojnë Gjakovës një shkollë publike


Familjet arsimdashëse  Rizvanolli dhe  Kusari nga Gjakova, kanë shënuar rastin e parë dhe unik në Kosovë, duke i dhuruar pasurinë e vet të trashëguar,  për arsimin shqip, përkatësisht për  ndërtimin e  një shkolle publike .

“Para se të shqyrtohej trashëgimia e pasurisë së mbetur, pas vdekjes së Këlmendit, motrat dhe vëllezërit e Faketit, nga familja Kusari, u morën vesh me motrat dhe vëllaun e Fatmirit, nga familja Rizvanolli, që në kujtim të Këlmendit dhe prindërve të tij, e gjithë masa e trashëgimisë të shfrytëzohet si donacion për ngritjen e një objekti shkollor, në qytetin e lindjes së tij dhe të prindërve të tij, me kusht që shkolla të mbaj emrin e Këlmendit” thotë Xhelal Kusari për gazetën “Gjakovapress”.

Në fakt, trashëgimtarët e pasurisë së paluajtshme të çiftit Rizvanolli – Kusari pasi ishin pajtuar që të “çojnë në vend” amanetin e prindërve,  që pasurinë e tyre t ‘ia falin një institucioni edukativo arsimor,  vitin e kaluar I kishin  bërë kërkesë Kuvendit Komunal të Gjakovës për gjetjen e një trualli ku do ta ndërtonin shkollën publike.

Këtë kërkesë unanimisht e kanë aprovuar edhe këshilltarët komunal të Gjakovës, ndërsa  Qeveria Lokale e Gjakovës ka përshpejtuar aktivitetin për fillimin e punimeve  duke caktuar edhe lokacionin e përshtatshëm për ndërtimin e shkollës.

“ Ky është një rast i rrallë që familjet I dhurojnë pasurinë shkollës për të ndihmuar në krijimin e kushteve më të mira për nxënësit” tha Silvana Haxhikadrija duke falënderuar për këtë gjest human që pasuron Gjakovën edhe me një vatër arsimore.

Sipas zyrtarëve të Drejtorisë së Urbanizmit që kanë bërë analiza profesionale,  shkolla e re do të ndërtohet në  lokacionin tek kompleksi i Mejtepit Ruzhdie, Kryqit te Kuq dhe Shkollës se Muzikës, ku frekuenca e nxënësve të qendrës së qytetit është më e madhe.

Kush janë familjet  donatore Rizvanolli dhe Kusari

Për të mësuar më shumë për familjet arsimdashëse  Rizvanolli- Kusari, biseduam me Xhelal Kusarin.

“Nipi ynë , Këlmendi ka vdekë në tetor, 2008 dhe ishte fëmiu i vetëm i Fatmir Rizvanollit  dhe motrës sonë Fakete Kusari, të  cilët kanë vdekë në mars të vitit 2000, përkatësisht në maj, 2006” thotë Xhelali i cili shkëputë biografitë e personazheve që do të mbesin në historikun e begatë të traditës gjakovare për kontributin e dhënë për shkollën shqipe.

Fatmir Rizvanolli:

Ka lindë në Gjakovë në vitin 1937, ku e ka krye shkollën fillore dhe të mesme. Studimet i ka vazhduar dhe përfunduar në Fak. e Xehetarisë në Beograd. Pas mbarimit të studimeve, nga viti 1963 deri në fillim të vitit 1967, ka punuar në Minierën “Deva”, në Gjakovë, ndërsa nga viti 1967 kalon në Prishtinë, në Minierën e Kishnices, ku punon deri në vitin 1970. Një vit punon në Inspektoratin e KEK të Kosovës. Nga viti 1971, punën e vazhdon në KXEMK “Kosova” (KEK-u I sotëm). Aty punon deri në fund të jetës së tij. Ishte ndër të parët inxhinier të xehetarisë, i dëshmuar në vazhdimësi, për ngritjen e kapaciteteve industriale dhe trajtimin profesional të pasurive minerare të KEK-ut. Nga bashkëkohanikët dhe bashkëpunëtorët e tij vlerësohen përpjekjet dhe kontributi I tij në sferën profesionale të punëve dhe angazhimet e tij për ngritjen e sidomos mbrojtjen e kuadrit shqiptar nga diskriminimet e lloj-llojshme të kohës, për çka do të ndëshkohet dhe shkarkohet nga pozitat përgjegjëse në KEK, nën diktatin e politikes së ditës, që në fund të viteve 80-ta, ishte intensifikuar ndaj kuadrit të “padëgjueshëm” shqiptar”. Duke qenë vet i arsimuar dhe nga një familje arsimdashëse, ishte  nismëtar dhe përkrahës i shkollimit dhe arsimimit, si i të vetmes mundësi për emancipimin dhe çlirimin e shqiptarëve nga pasojat e robërisë shekullore.

Fakete Kusari:

Lindi në Gjakovë, në vitin 1940, ku e kreu shkollën fillore dhe të mesme. Nga viti 1960 punon si mësuese në një shkollë fillore në Deçan, ndërsa në vitet 1962 deri me 1964, punën e mësueses e vazhdon në fshatin Novo Sellë të Gjakoves. Në vitin 1964 përjashtohet nga arsimi, për arsye politike, pas burgosjes së vëllait, Kadri Kusari. Nga mesi I viteve 70-ta e vazhdon punën e mësueses, së pari në një shkollë fillore në Obiliq, e më vonë, nga viti 1980 deri në fillim të viteve 90, punën e mësueses e vazhdon në Prishtinë. Në periudhën 1990-2006, merret në mënyrë vullnetare me aktivitetet e arsimimit dhe emancipimit të fëmijëve, e sidomos femrave nëpër fshatrat e rrethit të Prishtinës, Vushtrrisë e Mitrovicës. Nga grupi i veteraneve të arsimit ka realizuar një mori projektesh nga programi I arsimimit dhe emancipimit të femrës shqiptare. E pajisur që në fëmijërinë e hershme me dashurinë për librin, Faketi, deri në fund të jetës mbeti e angazhuar dhe e përkushtuar për shkollimin dhe emancipimin e femrës shqiptare, duke qenë e bindur se kjo është rruga e vetme e kapërcimit të prapambeturisë së trashëguar në kushtet e robërisë së gjatë, brez pas brezi.

Këlmend Rizvanolli:

Lindë në Gjakovë, në vitin 1966. Shkollimin fillor, të mesëm dhe studimet inxhinjerike të ndërtimtarisë i ka kryer në Prishtinë. Pas diplomimit në fakultetin e ndërtimtarisë, pas viteve të 90-ta, ka pasur angazhime të ndryshme, kryesisht jashtë profesionit, pasi për kuadrin shqiptar, aso kohe, nuk gjendej lehtë puna në profesion. Pas luftës ka hapur një ndërmarrje private për projektime dhe shërbime profesionale nga fusha e ndërtimtarisë së ulët. Kryesisht është marrë me realizimin e projekteve të ndryshme ndërtimore të infrastrukturës, e sidomos urave, duke I menaxhuar aktivitetet  për ndërtimin dhe meremetimin e urave në Kosovë. Këlmendi ishte një djalë I gjallë e plotë jetë. I rritur në familje të arsimuar e me ideale të fuqishme arsimdashëse, ai e vazhdoj rrugën e prindërve të tij dhe të familjeve të tyre. Ishte dashamirës i shumë sporteve, me disa prej të cilave është marrë në mënyrë të vazhdueshme (tenis, basketboll, not, skijim, etj.). Edhe natën kur u nda nga jeta (27.10.2008), ishte nisë të shkonte në palestrën e sporteve, ku e prisnin shokët e tij me të cilët luante basketboll. Vdekja e tij ishte e papritur, pasi kishte konstrukt shumë të fortë dhe premtues për jetë të gjatë, por që jeta nuk I përfill ndonjëherë.

Si lindi iniciativa për shkollën?

Meqenëse Këlmendi nuk ishte i martuar dhe nuk kishte trashëgimtarë tjerë, pasi ishte I vetmi fëmijë i Fatmirit dhe Faketit, e gjithë pasuria e tij dhe e prindërve të tij u trashëgua nga motrat dhe vëllezërit e prindërve të Këlmendit, nga ana e babait dhe e nënës së tij.

Para se të shqyrtohej trashëgimia e pasurisë së mbetur, pas vdekjes së Këlmendit, motrat dhe vëllezërit e Faketit, nga familja Kusari, u morën vesh me motrat dhe vëllain e Fatmirit, nga familja Rizvanolli, që në kujtim të Këlmendit dhe prindërve të tij, e gjithë masa e trashëgimisë të shfrytëzohet si donacion për ngritjen e një objekti shkollor, në qytetin e lindjes së tij dhe të prindërve të tij, me kusht që shkolla të mbaj emrin e Këlmendit.

Hapat e ndërmarrë

Me këtë iniciativë dhe kërkesë për sigurimin e një trolli u njoftuan strukturat komunale të Gjakovës dhe kërkesën e paraqitur nga të dy familjet, në fillim të vitit të kaluar, e miratoj Kuvendi Komunal I Gjakovës.

Nga ky moment jemi në pritje të konkretizimit të vendimit nga strukturat komunale, përkatësisht caktimit të trollit brenda qytetit të Gjakovës për ngritjen e një shkolle fillore të karakterit publik. Do të ishte interesante sikur trolli I ndërtimit të shkollës të korrespondoj me ndonjërën nga pjesët e qytetit ku u linden dhe u rriten prindërit e Këlmendit, por kjo mbetet në kompetencat e strukturave komunale, ndërsa ne jemi të gatshëm dhe në pritje të lokacionit kudo brenda qytetit të Gjakovës, që sa më shpejtë të fillojmë dhe përfundojmë objektin e shkollës.

Sa do të jetë vlera e donacionit për shkollën?

Shuma e mjeteve, nuk dihet saktësisht, derisa të shiten të gjitha pronat, por një pjesë e mjeteve është e gatshme për fazën e parë të punimeve ndërtimore dhe sapo të caktohet lokacioni do të bëhet edhe shitja e pronave. Vlerësojmë se mjetet që do të rezultojnë nga e gjithë pasuria e Këlmendit dhe e prindërve të tij, do të jetë e mjaftueshme për ngritjen e një shkolle fillore, me së paku nëntë salla mësimi dhe me infrastrukturën tjetër të nevojshme.

Comments Off

Nëse jo lexuesi te libri, atëhere libri te lexuesi

Posted on 21 May 2010 by Gjakova PRESS

libri

Shkruan: Engjëll I. BERISHA

Sot, hapsira bibliotekare po emërtohet “Vend për mësim për tërë jetën”, vend i ri kulturor i komunikimit informativ ku siguron çasje në programet edukative, me mjete siç janë librat e shtypura, teknologjia informative, audiovizuele e shumë veprimtari tjera. Vendet në rajon e kanë zgjidhur problemin e shumë kategorive me ndihmen e bibliotekarisë, ndërsa Kosova ka shumë ngecje.

Veprimtaria bibliotekare sot kudo në vende të zhvilluara ka marrë një konfigurim krejt ndryshe nga koha kur në bibliotekë merrej dhe kthehej libri i huazuar. Bile në vendet me të kaluar ideologjike, libri i nënështrohej më së shumti regjimit duke neveritur ndjenjen që të shkohet në këtë shtëpi, që do të thotë bibliotekat nuk kanë lënë ndonjë përshtypje për të gjitha kategoritë e lexuesve.

Sot, hapsira bibliotekare po emërtohet me shumë emra duke u quajtur,“Vend për mësim tërë jetën”, “Qendër informative e diturisë”, “Vend për të gjitha kategoritë”.

Është e vërtetë se mungon kuadri profesional i bibliotekarisë në Kosovë. Në Kroaci, jo aq e largë nga ne, bibliotekaria është ngritur në shkencë hulumtuese dhe punojnë në prodhim të kuadrove të reja në tri univerzitete me katedra në Zagreb, Osijek dhe Zadër. Pastaj shkallët për magjistraturë dhe doktorant që sot nuk jan pakë në këtë shtet. Kur jemi te Univerziteti i Kroacisë, atëherë na gëzon fakti se këtu i kanë marrur studimet pasuniverzitare 15 bibliotekar nga Kosova të sponzorizuar nga Instituti IZUM nga Maribori në Slloveni.

Kur jemi te infrastruktura, në historinë e këtij populli në Kosovë, pos bibliotekës Kombëtare, për herë të parë është ndërtuar objekti i dedikuar për këtë veprimtari në Gjakovë, bibliotekë publike me fond të hapur. Të gjitha të tjerat janë në gjendje të mjerueshme hapsinore dhe financiarisht.

Që të ndodhin këto veprime, duhet të jetë objekti, teknologjia dhe fondi i pasur. Të bëhet bashkëpunimi me strukturat lokale dhe qëndrore për kulturë, me komunitetin ku vepron biblioteka dhe me të gjitha shkollat.

Sllogani “Nëse jo lexuesi te libri, atëherë libri te lexuesi” është një hulumtim i bërë në shumë vende që edhe e kanë ngritur studimin në shkencë hulumtuese për resurset njerëzore, për edukimin dhe aftësitë që duhet të gjenden forma për ti fituar.

Në Gjakovë, dhe kryesisht në bibliotekat komunale, rajonale dhe nëpër degë, lexuesi vjen nga shkollat fillore dhe të mesme, bile 60-70 për qind e shfrytëzuesit të librit vjen nga shkollarët. Andaj, me këtë qëllim në Bibliotekën Ndërkomunale në Gjakovë në kuadër të Javës së Bibliotekës së Kosovës, u mbajt seminari me temë “Partneriteti i bibliotekave Publike dhe shkollore”. Këtu, u trajtua bashkëpunimi i ndërsjelltë pasi që në biblioteka shkollore mungon fare bibliotekaria. Asnjë shkollë nuk ka bibliotekari në mirëfillje. Në seminar, pos ligjeratave të shumta me interes profesional që i paraqitën nga MKRS, Ramadan Beshiri, nga BN e Gjakovës, Engjëll I. Berisha, Florije Nura, Teuta Kryeziu, nga Peja Ferdeze Kelmendi, u bë dhe një hulumtim i gjendjes aktuale i librit dhe të punonjësve nëpër shkolla. Konstatimi se fare pakë bëhet që nëpër shkolla të ketë biblioteka, është e vërtetë. Asnjë segment, as i Kulturës, as i Arsimit nuk po bën sa duhet për librin. Janë krejt pakëz shkolla që kanë biblioteka dhe ato në krahasim me numrin e nxënësve dhe me tematiken e librave që kanë nuk u përgjigjet nxënësve. Ka sasi të librave, por janë libra të shfrytëzuara.

Bibliotekë në shkollë ka në Sh.F. “Mazllom Këpuska”, ka afro 7000 libra, mungon fondi i përdorshëm për shkolla, nuk ka lektyra shkollore të mjaftueshme dhe nuk ka hapsirë për lexim, siç nuk ka as digjitalizim. Shkolla fillore “Yll Morina”, ka punonjës, me 4200 ekzemplarë, me situatë të njejtë siç edhe në shkollat tjera. Punonjës të bibliotekave ka edhe në shkollën “Zekeria Rexha”, me 4200 ekz., “Haxhi Hoti “ në Rogovë, me 9500 ekz. “Selman Riza”, me 6200 ekz. “Gjergj Fishta” në Bishtatzhin me 3500 ekz. Vetëm pesë shkolla fillore kanë puonjës bibliotekarë, dhe një në gjimnazin “Hajdar Dushi”, ndërsa shkollat tjera nuk kanë as punëtor as libra të mjaftueshme, siç nuk kanë as fare infrastrukturë. Brengosëse është gjendja nëpër zona të thella të banimit ku dikur kishte edhe biblioteka degë dhe sot janë të mbyllura fare në Cërmjan, Ponoshec, Rogovë, Bishtazhin, Demjan dhe është rihapur vetëm në Brekoc. Shkollat nëpër këto zona nuk kanë as nga 100 ekzemplarë lektyra shkollore, bile sipas hulumtimit ka shkollë pa as dhjetë libra. Çka duhet bërë me këta nxënës? Si vijnë ata deri te libri, të pakten te lektyra e obligueshme? Këtë temë e kemi shtjelluar në këtë seminarë dhe obligimin ndaj shoqërisë për investim ndaj gjeneratave të reja të cilat, mbase, do të na konsiderojnë të pa ditur dikur.

Hulumtimet e librit në Gjakovë, e banuar me 153 mijë banorë, nuk japin rezultate të mira, për shkak të kaluares jo të mirë.

Për momentin Bibliotekat publike në bashkësi kanë 40.998 ekzemplarë librash.

Nëpër shkolla kanë 19.500 libra, ndërsa fakulteti ka afro 5200 libra.

Në Komunë të Gjakovës, gjithsejt janë 62.942 libra.

Comments Off

Shpaloset krijimtaria e Qamilit të Vogël

Posted on 16 April 2010 by Gjakova PRESS

Qamili i vogel Koncerti

Një pjesë e krijimtarisë së pasur të këngëve qytetare e folklorike të Qamilit të Vogël,  në mbrëmjen e 27 marsit,  u shpalosen në mënyrën më të bukur, (ashtu sic do ta dëshironte edhe vet autori I këtyre këngëvee)nga solistët  e mirënjohur Shkëlzen Jetishi – Xeni dhe tenori I mirënjohur Kastriot Tusha në premierën e spekatklit muzikor që u mbajt në sallën e stërmbushur të pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”.

Në  koncertin premierë  me këngët e zgjedhura nga repertori i pasur i krijuesit Qamili i Vogël,  pos këngëtarëve Xeni dhe Kastrioti u prezantuan edhe doajnët e këngës Ismet Peja e Zenel Doli ndërsa spektaklin e  moderoi  me mjaft mjeshtri, aktori  i madh Mirush Kabashi.

Nostalgjikëve të këngëve të vjetra qytetare nga krijimtaria dhe interpretimi i atyre këngëve nga Qamili i Vogël   u janë ofruar në kujtesë këngë të cilat mrekullueshëm janë interpretuar nga këngëtarët e shquar Shkelzen Jetishi- Xeni dhe Kastriot Tusha të përzgjedhura i kanë kënduar në duet si dhe nga këngëtarët po aq të shquar që ishin në cilësinë e mysafirëve, Ismet Peja dhe Zenel Doli.”Qamili i Vogël ishte këngëtar, autor tekstesh, mbledhës folklori dhe ishte producenti i parë i muzikës shqipe në Kosovë ku në “Jugoton” të Zagrebit realizoi gjashtëdhjetë disqe, pesëmbëdhjetë audiokaseta dhe një videokasetë, të gjitha në regji të tillë” ka kujtuar mjeshtri i skenës,

Mirush Kabashi, moderator i mbrëmjes, që po ashtu ka kujtuar interpretimet e Qamilit të Vogël jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Turqi, Siri, Kanada, Belgjikë, SHBA e gjetiu. Këngët e përzgjedhura nga krijimtaria e Qamilit të Vogël për tu kënduar në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, siç tha dhe vet Shkelzen Jetishi, ishin vetëm disa prej opusit të gjerë të Qamilit të Vogël.

”Jemi munduar të mbledhim pjesë nga krijimtaria e Qamilit të Vogël sepse për interpretimin e gjitha këngëve dhe krijimtarisë së tij do të duheshin katër koncerte” ka thënë Xeni, i cili me interpretimet e tija është bërë një këngëtar shumë i adhuruar, ku çdo prezantim i tij, në veçanti në Gjakovë, nuk mund as të imagjinohet pa këngët e Qamilit të Vogël, apo siç tha Mirush Kabashi, këngë që janë të pranishme në çdo dasmë, çdo aheng dhe çdo ndejë në Gjakovë.

Derisa për Xenin dhe mysafirët Ismet Peja dhe Zenel Doli ishte e panumërta herë që këndoheshin këto këngë, Kastriot Tusha, si një tenor shumë i njohur dhe i mirëpritur gjithandej ku flitet dhe dëgjohet kënga shqipe, është treguar se jo vetëm se mund të këndojë ato këngë porse edhe lehtë mishërohet në to.

Ndonëse, për shkak të kohës në izolim kanë qenë të pamundura të bashkëjetohet me këngët e Qamilit të Vogël, tenori me të cilin mburret krijimtaria e muzikës shqipe, ka treguar se ato këngë  të madhit Qamili i Vogël ndonëse me shumë decenie më përpara të krijuara dhe të kënduara mund dhe sot si një margaritar të zgjerojnë hapësirën e dëgjimit dhe të konsideratës së këngëve që janë me motive të ndryshme erotike dhe patriotike. Edhe Ismet Peja dhe Zenel Doli tek publiku kanë interpretuar  jo vetëm këngët nga Qamili i Vogël por edhe interpretimin e tyre përkushtues.

Nga kënga në këngë të kënduara live për një orë e gjysmë, të përcjellura nga orkestra e Vllaznim Buxhovit, mbyllja e koncertit është bërë  me tri këngë të kënduara nga të katër këngëtarët që si grup sollën emocionet përmbyllëse për ato këngë, për Qamilin e Vogël i cili mbiemrin e kishte Muhaxhiri, por ngase që i vogël ishte në ndejat e më të moshuarve në krah të të lavdishmit, plakut Ymer Riza, kishte marr mbiemrin cilësor “i Vogël” me të cilin mbiemër jetoi dhe shkoi në amshim dhe me të cilin mbiemër jeton edhe pas vdekjes.

Për kontributin e dhënë në krijimtarinë muzikore dhe artistike, Pal Lekaj kryetari i komunës së Gjakovës u ka dhënë mirënjohje Mirush Kabashit, Kastriot Tushës, Shkelzen Jetishit, Ismet Pejës dhe Zenel Dolit.

Comments Off

YLLKA QË SHKËLQEU NË ZAGREB

Posted on 10 March 2010 by Gjakova PRESS

Yllka Shyti

Yllka Shyti, nxënëse e klasës së gjashtë të shkollës së mesme të
muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, me sukses ka prezentuar Kosovën në
garat e mbajtura në Zagreb për pianistë dhe violinistë të rinj.
Si konkurrente e kategorisë së tretë për nga mosha, në garë me 14
kundërkandidatë nga mbarë Evropa, në saje të ekzekutimit me sukses të
disa pikave instrumentale në piano të autorëve të njohur botëror, ajo
është laureuar me dy diploma.
Organizatorët e këtij aktiviteti në Zagreb, Yllkën e kanë diplomuar
për pjesëmarrje dhe suksesin e treguar në gara,  kurse një diplomë
tjetër i është ndarë nga prof. Akil Koci, me motivacion, për:
ekzekutim të suksesshëm të veprës “Invencioni tre-zanorë i Bah-ut” dhe
“Valsin e Shoppen-it”.
Ky aktivitet që konsiderohet të jetë i një rëndësie të veçantë, është
organizuar nga shkolla e muzikës “Pavla Markovca” në Zagreb dhe i
njëjti është mbështetur nga Qeveria e Zagrebit.
Yllka Shyti, e cila për mëse dhjetë herë ka marrë pjesë në gara të
organizuara në vende të ndryshme të botës, me talentin e saj me sukses
ka përfaqësuar Kosovën, duke e radhitur vendin tonë në mesin e
shteteve më të sukseshme në lëmin e kulturës muzikore.
Duke marrë parasysh, talentin e treguar në vende të ndryshme të Botës,
Yllka, shpjegon faktin se kësaj radhe i ka munguar mbështetja e
Kuvendit të Komunës së Gjakovës, ndërkohë, ajo falenderon
profesoreshën e saj Mimoza Kurshumlija, në përgatitjen profesionale që
i ka ofruar asaj për të marrë pjesë në këto gara.

Comments Off

NJË PËRALLË MODERNE PËR STUDENTËT E UNIVERSITETIT

Posted on 10 March 2010 by Gjakova PRESS

Univerziteti i UP

Shkruan: NORIKË    SEFA

Fakulteti i Arteve

Sinqerisht e në mënyrë instiktive  pata disa reagime inatqore përderisa babi im, profesor në  UP  perbledhte me mburrje një  periudhë të rëndësishme jo vetëm vetjake por edhe për tërë popullin tonë të  nëpërkëmbur. Këto reagime me cytën që  të nis një shkrim të këtillë. E koncentruar dhe me reflekse të bretkosës grabitqare që zënë insektet, I kapja çdo fjalë nga përvojat e hidhura që babi nxirrte nga goja..dhe sa vinte e  isha e uritur edhe më tepër.  Them me vete, sa të painformuar që jemi ne, rinia,  për sakrificat që kanë bërë prindëri tanë për të mbërritur në ditët e sotme.

Kur po vë  në funksion gjithë receptorët e trurit , po qeshëm me ironi për  dilemat tona studentore në çastet  kur na zgjon alarmi i mobilit : “a me shkue a jo sot n’fakultet?” …  dhe përvojat  që babi tregonte,  më silleshin  nëpër kokë si mjegull tymi . Ai sot kujton:

“Me një rast, viti 1998, në pjesën e rrugës prej Graçanicës për në Prishtinë, autobusi në relacionin Prizren-Beograd  u defektua. Një ditë përpara ishte raportuar se forcat e UÇK-së dhe ato militare serbe ishin konfrontuar në shumë pika të Kosovës dhe supozoja se nëse vonohem për ligjërata, studentët do të mendojnë se (me arsye) nuk kam marrë rrugën për Prishtinë fare dhe do të shpërndahen. Ndala një taksi, i cili për deri në Prishtinë më kërkojë 10 DM dhe vazhduam rrugën. Kërkova nga  taksisti  që të nxitonte  ngase “studentët më presin”, “por edhe mund të shpërndahen!” . Sapo e kuptojë angazhimin tim dhe qëllimin e udhëtimit taksisti,  e shkeli papuçen e shpejtësisë dhe më zbarkoi me kohë,  duke mos pranuar të paguaj  çmimin  sipas marrëveshjes, por vetëm deklaroi :” edhe unë po dua  me dhënë “argatin” tim në këtë proces!”

Babi im, Prof. Ruzhdi Sefa,PhD në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Inxhinierike

vazhdonte “përrallen” i ngërthyer në kujtime dhe dukej sikur I shihte aq qartë ato pamje dhe bënte me gjeste:

Rasti i kontrollit në postobllokun e tmerrshëm në  Komoran:

Pasi na nxorën të gjithëve nga autobusi , na urdhëruan që sikurse nëpër filmat me motive gangsterësh të hapim këmbët, të ngrisim duart dhe  të kthehemi me fytyrë kah autobusi. Pasi ishim shumë udhëtarë   dhe nuk mjaftonte vendi, udhëtarët tjerë formuan “shtresimin ” e dytë duke u mbështetur mbi supet  e të rreshtuarve të parë. Dhe pastaj policët serbë filluan me pyetje e provokime, me ofendime e shantazhime. Të rreshtuar atë ditë ishin edhe  prof. Besim Bokshi, prof. Qamil Gexha, prof. Jakup Nushi, prof. Bardhyl Çaushi, prof. Neki Dervishi dhe unë. Të gjithë ishim të kërcënuar sikurse ishin edhe 45 udhëtarët tjerë të autobusit të ndaluar ! Kështu ka ndodhur më se një here, jo vetëm  me udhëtarët e autobusit “tonë” por edhe me sa të tjerë, …. me një popull të tërë.  Mirëpo mësimi, ligjëratat, ushtrimet,…  nëpër hapësirat jashtëshkollore nuk ndërpriteshin…. Të gjithë na admironin për sakrificën, të gjithë na mburrnin për të vazhduar, na ndihmonin dhe na gjendeshin pranë e pranë në ditët e vështira dhe situatat e pamundura.”

Në 40 vjetorin e Universitetit unë e pashë të arsyeshme të bëjë një përmbledhje për themelimin, ngritjen e rimëkëmbjet e Universitetit në vija të përgjithshme.

Si një  studente e vitit të parë, nismëtare në shijimin e krenarisë  që ofron ky institucion, isha shumë kureshtare të  dija historikun për të. Lexoj në Monografin e Universitetit : Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 Shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës. Rektor i parë i tij u zgjodh Prof. dr. Dervish Rozhaja.

Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë. Universiteti i Prishtinës tani ka 17 fakultete (njësi akademike).

Mësimi në fakultete dhe në shkolla të larta (me disa përjashtime) fillimisht zhvillohej në gjuhën serbokroate. Kuadri mësimor në gjuhën shqipe ishte I pakët. Mësimi në gjuhën shqipe në disa degë ose në disa lëndë mësimore mbahej qysh në fillim të veprimtarisë së tyre (më 1960 vetëm në Degën e Albanistikës. Dy vjet më pas mbaheshin shqip edhe lëndët: Pedagogjia e Sociologjia, si lëndët përgjithshme në shumë grupe studimore). Mësimi shqip do të intensifikohet, sidomos nga viti 1966.  U intensifikuan, gjithashtu, edhe përpjekjet për formimin e kuadrit arsimor për mësim në këtë gjuhë.

Nga Fakulteti Filozofik, më 1971, mëvetësohet Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, kur mëvetësohet edhe Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik, të cilët fillimisht ishin së bashku. Në vitin 1973 u themelua edhe Fakulteti i Bujqësisë në Prishtinë, pastaj Fakulteti XehetarMetalurgjik në Mitrovicë (1974), Fakulteti I Arteve në Prishtinë (1975), Shkolla e Lartë Pedagogjike “Skënderbeu” në Gjilan (1975),Shkolla e Lartë Teknike (Qendra për Arsimin e Lartë) në Ferizaj (1976), Fakulteti i Kulturës Fizike në Prishtinë (1979).

Periudha 1981-1991 e historikut të Universitetit të Prishtinës shënon numrin më të madh të studentëve dhe të kuadrit mësimor shqiptar, por shquhet edhe nga intensifikimi i represionit politik dhe policor serb ndaj profesorëve dhe studentëve shqiptarë, si dhe ndaj studimeve shqipe në këtë Universitet përgjithësisht.

Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës  1991-1999

Në  vitin akademik 1991/92, filloi periudha e rimëkëmbjes dhe e mbijetesës së Universitetit të Prishtinës (studimeve në gjuhën shqipe) në kushte të jashtëzakonshme. Më 26 nëntor 1991 u mbajt mbledhja e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës, ku u vendos vazhdimi i mësimit në gjuhën shqipe jashtë lokaleve legale (të uzurpuara nga administrata dhe policia serbe). U zgjodh rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Prof. dr. Ejup Statovci. Në këtë kuadër u bë edhe konstituimi i organeve drejtuese të fakulteteve dhe të shkollave të larta të këtij Universiteti. Më 5 dhjetor 1991, Kolegjiumi i Dekanëve mbajti mbledhjen e parë ku u vendos për hapat që duhet marrë për organizimin e punës mësimore-shkencore në kushte të jashtëzakonshme, në lokale private. U vendos, gjithashtu që kjo veprimtari të jetë publike dhe e bazuar në dispozitat ligjore ekzistuese dhe në vendimet institucionale të Kosovës. Ndërkaq, në mbledhjen e Kuvendit të Universitetit, më 10 dhjetor 1991, rektori prof.dr. Ejup Statovci, paraqiti programin e punës dhe parashtroi vizionin e tij për organizimin e punës në këtë institucion. Kontribut të jashtëzakonshëm në nismën e aktivitetit për riorganizimin e punës në Universitet dha edhe prof. dr. Eshref Ademaj, me insistimin e të cilit u shpall Konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 1991/1992. Realizimin e Konkursit dhe pranimin e studentëve të rinj e mundësuan institucionet e arsimit të lartë. Kjo bëri të mundur të vazhdojë puna legale në pranimin e studentëve e më vonë edhe në organizimin institucional në objekte private.

“Çdo shqiptar ishkolluar  është një armik më shumë për Jugosllavinë”

Historia e babit në  Universitet

Këtij fragmenti nga “përralla” por  jo e zakonshme, ndryshe nga ato të cilat jemi mësuar ti dëgjojmë, babi i dha një intonacion ndryshe dhe pati efekt të veçanet në mua…

“Edhe sot e ruaj shkresën  me të cilën prof.dr. Eshref Ademaj  në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Pavarur të Arsimtarëve dhe Pedagogëve të Universitetit të Prishtinës (SHPAPUP) përmes prof. Salem Lepaja me drejtohej me lutjen që ” në ditët  e stuhishme  për Universitetin e Prishtinës dhe arsimin e lartë- universitar, me të cilat po përballemi, Ju ftojmë që t’i përgjigjeni thirrjes së kohës që t’i ktheheni  punës në UP”. Këtë ftesë-vendim e kuptoja jo vetëm si rehabilitim për të gjitha ato vuajtje dhe dënime  që i pata   përjetuar si pedagog universiteti, por edhe si thirrje për t’iu bashkuar, duke I  ngjeshur radhët e personelit akademik, gjithë atyre që u kishte rënë hise që në kushtet e krijuara, kur po tentohej të rrënohej gjithë ajo punë, gjithë ato investime në ngritjen e Universitetit….ta mbajmë gjallë procesin akademik në Kosovë dhe Universitetin para stuhive të reja që po ngriheshin. Nuk ishte ky kthimi i vetëm. Përkundrazi ! Njëlloj vepruan edhe intelektualët e lartë si: prof. Fehmi Agani, prof. Gazmend Zajmi, prof.Ymer Jaka, prof..Fehmi Rexhepi, prof..Mark Krasniqi, prof.Pajazit Nushi, prof.Sehadete Mekuli, prof.Skender Boshnjaku, prof.Shefqet Canhasi, prof.Rashid Alidemaj,  prof.Hamdi Gashi, të cilët për shkak të qëndrimeve të tyre që ishin të papranueshme për regjimin e kohës dhe të diferencuar pas ngjarjeve të vitit 1981,  ishin të larguar nga procesi mësimor (shih: Akademik Minir Dushi :”Universiteti I Prishtinës (1981-1983)”).

Lexon nga autobiografia e tij  ” Në kohën kur Universiteti i Prishtinës cilësohej “Kështjellë e nacionalizmit shqiptar” (Gjenarali serb Petar Graqanin,1981), principialiteti profesional dhe këmbëngulja për të mos lejuar cënimin e autoritetit të Fakultetit e Universitetit tonë,  që rezultoi me një incident me një koleg serb, poashtu ligjerues në Fakultet, u bë shkas që të diferencohem ideopolitikisht. Angazhimi im legal nuk mbeti pa u rënë në sy survejuesve kujdestarë të sistemit dhe së shpejti privohem nga liria. Në procesin e montuar politik, dënohem për  vepër penale të rrezikimit kundërrevolucionar të RSFJ (neni famëkeq 114 i LPJ)”.

Kthimi  në procesin mësimor

Para se të  vendosi që sërish t’i përkushtohem punës pedagogjike në Universitetin e Prishtinës, nga ku isha larguar me epitetin “ njëri nga nacionalistët më të skajshëm”  (Shif librin e prof.dr. Vujadin Milanoviq: ”Universiteti i Prishtinës në rrjetin e strategjisë shqiptaromadhe.” Fq.173), së pari insistova të takohem  me gjithë përsonelin akademik të Katedrës, ku isha para së të burgosesha, dhe ua thashë atë që nuk e pata rastin gjatë diferencimeve të vrazhda të vitit 1981 se “I kam të ditura të gjitha të bërat dhe të pabërat E JUAJA dhe se nuk po kthehem në procesin akademik për t’u hakmarrur, jo, por mos kërkoni nga unë që t’i harroj ato që keni (keq)bërë kundër meje dhe bashkëmendimtarëve të mi”. Dhe  e përfunduam me kaq! Vendosa t’i kthehem procesit arsimor në Universitet! Unë u mirëprita nga kolegët e Katedrës dhe fillova nga puna. Përplotë entuziazëm dhe vullnet.

Unë  e kisha parasysh atë që Akademiku I njohur serb Millosh Crnjanjski, I indinjuar për hapjen e fakulteteve në Prishtinë, pati deklaruar “Mirë, të gjitha I kuptoj, por nuk mund të kuptoj përse hapen fakultetet në Prishtinë?” “Çdo shqiptar I shkolluar është një armik më shumë për Jugosllavinë”! Siç dihet, në atë kohë, kur  kishte deklaruar kështu, mësimi është zhvilluar në gjuhën serbo-kroate ! I tëri iu përkushtova procesit arsimor në Universitet! Kështu  vazhdova me ditë e me javë, me muaj e vite…për tetë vite. Dhe jo vetëm unë por një armatë e tërë e pendës! Deri me 21.03.1999 (ditë e diele), kur organizova dhe mbajta provimin e fundit para intervenimit të NATO-së kundër caqeve militare të Serbisë. Jo për atë pagën prej 80 DM (sa paguhesha në fillim të kthimit në angazhimin në fakultet që ishte aq  sa  fitonte një agjenci turistike nga shitja e një bilete avioni, me të cilën të rinjtë e Kosovës largoheshin për në botën perëndimore), por pikërisht për ta penguar këtë largim. Këtu është I pashmangshëm falënderimi  për transportuesit privat të Gjakovës e para së gjithash atë “ShpatTurs”,  të cilat jo vetëm mua  por edhe prof. Qamil Gexhën, prof. Besim Bokshin, prof. Bardhyl Qaushin, prof. Minir Efendiu, prof. Jakup Nushi, prof. Qamil Haxhibeqiri, prof. Sutki Dafota, prof. Besnik Hoxha, prof Eda Vula  e sa e sa të tjerë na bartnin në relacionin Gjakovë-Prishtinë e anasjelltas pa asnjë pagesë, për vite.  Dhe jo vetëm na bartnin, por kur policia  e postblloqeve  na nxirrte nga autobusi “për një kontrollë rutinore”, nuk bënin lëvizjen më të vogël nga vendi  pa mos iu bashkangjitur edhe ne që ishim marrë kinse për kontroll sigurie nga ana e milicisë serbe !

Në vitin 1998, kur rruga magjistrale Pejë-Prishtinë ( pikërisht Gryka e Lapushnikut) e më pas rruga Prizren-Prishtinë (pikërisht Qafa e Duhlës), ishin në zjarrin e luftës, ishim të detyruar të udhëtonim nëpër rrugët Prizren- Mushnikovo-Prevallë… dhe atë me autobusë që, pos udhëtarëve nevojtarë për Spitalet e Beogradit, bartnin pasurinë e rrëmbyer e të vjedhur nga familjet shqiptare (“ gjahun e luftës”) nga ushtarët, policia e paramilitarët serbë.

Si ia bëja? – rrëfen babi:

Sa herë  që vinte dita për të udhëtuar, unë përgatisja një  dokument “zyrtar” udhëtimi (“putni nalog”–“urdhër udhëtimi”), të cilin ua prezantoja              “ ruajtësve të rendit dhe qetësisë publike” që nuk lëshonin njeri sapo ndonjë nga udhëtarët ishte I dyshimtë në sytë e tyre.

Megjithatë, ka patur raste kur dyshimi nuk neutralizohej me këtë dokument dhe policët kërkonin …madje edhe komplet portfolin (rasti në postbllokun në Kijevë, kur po udhëtonim së bashku me Afrim Domin (veprimtar në çështjen kombëtare, I dënuar politik) ose edhe na nxirrnin të gjithëve nga autobusi.. si ndodhi  pikërisht në postobllokun famëkeq në udhëkryqin në Komoran, mu aty ku u rrah, u keqtrajtua dhe u përgjak profesori I UP-së, veprimtari I çështjes kombëtare , politikani I pagjetur – Ukshin Hoti (Profesorit Mr. Ukshin Hoti, iu dha titulli anëtar nderi i Universitetit të Prishtinës :P ër merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm intelektual dhe njerëzor në mbrojtjen e vazhdueshme të Universitetit në kohën e sfidave më të mëdha të çështjes sonë kombëtare.) apo rasti kur paramilitarët e Sheshelit e ndalën atobusin dhe  na keqtrajtuan në postbllokun në Mushnikovo !”

Si për tu arsyetuar që në ato pak minuta heshtje  që kishim gjatë bashkëbisedimit kur Ai po  derdhte  një  përvojë jo t’këndshme, Babi e përmbylli “përrallen e çuditshme” .

“Përse I komunikoj mendimet dhe përjetimet e mija ? Motivet dhe shkaqet që më nxisin në këtë janë të shumta e të llojllojshme. Kam lexuar se, edhe te po I njëjti shkrimtar gjatë jetës së tij dhe në pajtim me botëkuptimet në periudhat e ndryshme të jetës ato jo rrallë ndryshojnë. Mua më pëlqen ajo që thuhet për shkrimtarët francezë, të cilët për të shkruar I kanë nxitur motivet e larta. Anatol Frans ka dëshiruar që fjalën e shkruar ta vejë në shërbim të idealit dhe aksionit- që të ndikojë te njerëzit. “Kur njeriu në vete ndjenë diç të fuqishme e të madhe , ai duhet edhe ta dëftojë, e me çfarëdo çmimi, madje edhe atëherë kur është I sigurt në atë se nuk do të kuptohet ose keqkuptohet” (Romen Rolan), pavarësisht se  me të rrëfyer shpesh hapen varret e brendshme të sensibilitetit.”

Shumë  emra e personalitete, plot vende e zona, data e shënime ma kishin atakuar trurin e po mundohesha që secilin ta stisja në skutat e kujtesës. Më të vërtetë ishte një “përrallë” ndryshe, dhe nuk e kishte atë efektin qetësues për të cilat dhe rrëfehen  përrallat…por   ishte shume interesante dhe mbresëlënëse.

Ne studentët konsiderojmë që për përralla jemi tashme të rritur, por mendoj që secili nga ne duhet ta rikujtojmë  këtë “përrallë” çdo natë para gjumit për tu “rritur” edhe më tepër.

Comments Off

Shkollarët me uniformë ia shtuan bukurinë Gjakovës

Posted on 05 January 2010 by Gjakova PRESS

college_students
“Më mirë vonë se hiq” thotë një fjalë e urtë popullore. Kjo do të vlente për nxënësit e gjimnazit “Hajdar Dushi” që filluan ta veshin uniformën shkollore. Më parë e kishin bërë edhe ta të “Gjon Nikollë Kazazit”, ndërsa nxënësit e  “Mjekësisë” me kohë  ka qenë të dalluar me mantelat e bardhë. Mëngjeset dhe mesdita kur shkollarët janë më tepër në rrugë kanë fituar në bukuri, pikërisht falë veshjes elegante shkollore. Kur filloi ky vit shkollor ishte qëndrim i Drejtorisë së Arsimit që të gjithë nxënësit të bartin uniformën. Kjo në parim u përkrahë nga të gjithë, në shkollë, familje e vecanarisht nga shumica e nxënësve. Mirëpo problem në vete për shumë prindër doli kostoja e lartë e tyre. Edhe nxënësit kanë mendimet e tyre, disa prej të cilave i shkëputëm në një anketë që bëmë me ta.

Bartja e uniformës, këtë vit shkollor edhe në Gjakovë ishte aktualizuar së tepërmi. Është  bërë rregull që të përdoret si nga nxënësit, ashtu edhe nga mësimdhënësit nëpër shkollat tona. Uniforma është një mjet i domosdoshëm që nxënësit të identifikohen më lehtë nga  personat e jashtëm, por edhe për t’u identifikuar nxënësit se janë të shkollës përkatëse. Ndonëse po kalon pjesa e parë e këtij viti shkollor, nxënësit e disa shkollave ende nuk janë pajisur me veshje të veçantë.

Ata e bartin uniformën me kënaqësi dhe thonë se ndihen mirë me uniformë  shkollore.“Mua më pëlqen shumë uniforma shkollore dhe nuk kam asnjë problem me të” janë përgjigjet më të shpeshta.

Arsyeja e vonesës së pajisjes së nxënësve me uniforma, sipas drejtuesve të shkollave, ka të bëjë me procedurat e stërzgjatura të prokurimit.  Problemi më i madh për mosbartjes të uniformës nga ana e nxënësve është te shkollat e mesme. Për shkak të mungesës së uniformës së nxënësve, edhe menaxhmeti i shkollave po e ka të vështirë t’i identifikojë nxënësit, por  edhe niveli i sigurisë nuk është në nivelin e duhur. Përkundër faktit se pjesa dërmuese përkrahin idenë e bartjes së uniformës, një pjesë e nxënësve nuk e preferojnë shumë bartjen e uniformës, mësimdhënësit thonë se nëpërmjet kësaj veshjeje nxënësit janë të barabartë dhe nuk ka mundësi të vërehen se cilët nxënës jetojnë me kushte më të vështira  ekonomike.

Box

Uniformat shkollore siç duket bëjnë  që sjellja sociale të jetë  më e mirë në klasë dhe për rezultate më të mira të nxënëseve.

Këtë  të paktën e ka gjetur një grup i hulumtueseve i Universitetit në Giessen (Gjermani). Në një studim eksperimental shkencëtarët nën udhëheqjen e psikologut Oliver Dickhäuser pyetën 8 klasë të një shkolle në Hamburg. Ata erdhën te rezultati se nxënësit në veshje uniforme u koncentroheshin më mirë në mësim dhe i trajtonin bashkënxënësit më pak në mënyre sipërfaqësore.

Gjysma e klasave të vëzhguara (klasa e 5 deri në të tetën) vizitonin shkollën kryesore dhe atë reale në Hamburg-Sinstorf, në të cilën nxënësit bartin pulovër ngjyrë kaltër me emblemën e shkollës. Klasat tjera vizitonin një shkollë përafërsisht të njëjtë, por pa rregullore për veshje. Shkencëtarët vëzhguan sidomos te klasat e larta me uniforma një dallim të qartë në sjelljen sociale nëpër klasa. Por psikologu tërheqë vëmendjen, se vetëm veshja e njëjtë nuk do i zgjidhte të gjitha problemet në klasat shkollore. Sidomos nxënësit dhe prindit duhet të jenë të bindur për konceptin e bartjes së uniformave shkollore, por është e nevojshme edhe angazhimi i mësuesve.

Ekipi i hulumtueseve nga Giessen-i poashtu gjeti, se nxënësit e uniformuar e vijojnë  më mirë mësimin. Dickhäuser shpjegon se bartësit e iniformave më shumë e vlerësojnë për të  kuptuar përmbajtjen e lëndës.  Dickhäuser e vlerëson në përgjithësi pozitivisht veshjen e njëjtë, dhe thotë se uniformat do t’ju kursente shumë stres psikosocial nxënëseve.

Mendime

Si ndihesh me uniformë, sa është atraktive për ty

Moza:Në gjithë botën nxënësit kanë uniformë, që në klase të parë e deri në vit të katërtë gjimnaz Gjithë janë të veshur njëlloj. Bash na ka lezet shpirti…!!!(haha). Unë ndjehem mirë Pos që ishte çmimi i lartë i tyre për xhepat e familjeve tona!!!.

Besa: Kisha thanë se kjo është një gja e mire, sepse nuk krijohen diferencime mes nxënësve që kane mundësi ekonomike dhe atyne qe nuk kanë. Arsye tjetër është se paraqitja e tyre bëhet ma serioze dhe nuk len vend për konflikte mësues-nxënës të tipit; fundi është shumë i shkurtë, ke barkun jashtë, apo ke gjoksin jashtë….por para se të caktohet uniforma kishte qenë mire që disa nxënës të japin mendime se si të bëhet uniforma, . se në fund të fundit janë ata që kanë me i vesh.

Leoni: Bartja e uniformave asht një gja shumë e mire. Në këtë mënyrë gjithë janë të veshur njësoj e kërkosh nuk ndihet në siklet se nuk ka një veshje të modës si pjesa tjetër e klasës, sepse nuk mundet me ia ble prindi. Plus që tash vajzat e mbledhin mendjen e nuk rrinë me mendu një orw se çka me vesh n’shkollë.

Tala nxënës e shkollës profesionale Gjon Nikoll Kazazi thotë: Me të vërtet tani po ndihemi     nxënës shkollar me uniforma, tamam po dallohemi që I përkasim një institucioni shkollor.

Yllka gjimnaziste e klasës së dhjet thotë : Më pëlqen që dallohemi nga shkollat tjera. Për mua është një edukatë të mbash uniformë, pastaj çka është më kryesorja , po ndihem shumë rehat me to.

Genti nxënës I klasës së njëmbëdhjetë i Gjimnazit thotë: Ndihem mrekullueshëm kur shoh qe nuk jam i vetmi ne at veshje dhe se gjithë shkolla ka marr një ngjyrë, atraktive mendoj se është mjaft shumë për arsye se jemi gjenerata e par e gjitha kohërave që mbajmë uniforma te tilla.

Tina nxënëse e klasës së dymbëdhjetë në gjimnazin Hajdar Dushi: Mirë shumë. Unë ndihem mirë kur e shohë veten në pasqyrë e të tjerët në shkollë,  më duket se tani u bëmë nxënës të vërtetë. sikur me par nuk shkonim ne shkollë po diku tjetër.. Si modele janë shumë të mira por shpresojë që do të na qëndrojnë e do i veshim rregullisht të gjithë deri sa të përfundoj shkolla..

Gentina nxënëse e klasës së dymbëdhjetë: Mirë shumë po ndihem!  Me të vërtet më ka hjek një dert të madhe sepse sa herë jam zgjuar nga gjumi në mëngjes mendja menjëherë më shkonte se çfarë do të vesh sot në shkollë, ndërsa tani vetëm kujdesem për pastrimin e tyre…

Ylli nxënës I klasës së njëmbëdhjetë: Ndihem super edhe besoj se të gjithë jemi të kënaqur me atraktivitetin e tyre, thjesht po ndihemi tamam nxënës…

Krenarja, nxënëse e klasës së dymbëdhjetë: Për mua uniforma në shumë aspekte më duket atraktive për faktin se jemi të gjithë të barabartë dhe nuk dallohemi nga statusi ynë financiar në mënyrën e të veshurit, por ka diçka qe s’më pëlqen është pastrimi I shpeshtë edhe tjetra që po na duhet ti veshim çdo ditë të njëjtat!…

Jeta nxënëse e klasës së dymbëdhjetë : Për mua uniforma qe shumë e mirëseardhur, por nuk më pëlqente çmimi shumë i nxehtë prej 44 eurove! Pastaj, ne maturantët do ta kemi një periudhë shumë të shkurt kohore që ta bartim atë, por prapë ato kanë një rëndësi të madhe për mua sepse me bëjnë të ndihem tamam nxënëse.

Anella nxënëse e shkollës profesionale “Gjon Nikollë Kazazi: thotë: Uniforma është një veshje shumë e qëlluar sepse te gjithë jemi të njejt. Po ashtu tregohemi qe jemi nxënës te një shkolle dhe jo te një feste. Me te vërtet me pëlqen shumë

Eliza nxënëse e shkollës profesionale “Gjon Nikollë Kazazi” thotë :

Ndihem me të vërtet mirë me uniformë.. Ajo na bënë të gjithëve të barabartë nga pamja dhe tregon që jemi nxënës te vërtet të shkollës.

Ka edhe të atillë që nuk u pëlqen modeli.
Në anën tjetër, bartja e uniformës nuk pëlqehet edhe aq nga nxënësit, dhe për këtë arsye ka raste kur ata një pjesë të uniformës  nuk e mbajnë veshur, por e lënë në çantë.

“ Uniforma nuk më pëlqen fare, për këtë arsye edhe nuk e veshi rregullisht. Nuk më pëlqen  modeli i saj”, është shprehur Dona, nxënëse e shkollës së mesme në Gjakovë. Po këtë mendim e kanë edhe disa nga shokët dhe shoqet e saj. “ Unë nuk e marrë rregullisht uniformën me vete në shkollë , pasi që shumica e nxënësve nuk e pëlqejnë dhe as mua nuk më pëlqen”, është shprehur Arbeni.

Por, për dallim nga ta shumica uniformën e bartin rregullisht. Një gjë të tillë  është shumë lehtë për ta verifikuar, pasi që  edhe në qytet ata e mbajnë uniformën. Mirëpo ka raste kur nxënësve nuk u ka pëlqyer modeli i veshjes shkollore, sidomos i fundit, dhe nxënëset i kanë shkurtuar duke i bërë funde të shkurtra. Një gjest i tillë i nxënësve të lë përshtypjen se,  a po e vesh atë nxënësja për t’u identifikuar si nxënëse a për t’u dukur më  bukur.(Gjakovapress)

Comments Off

GJAKOVËS I KTHEHET BURRI I MADH I KOMBIT, Jetësohet amaneti dijetarit dhe atdhetarit të shquar Selman Rizës

Posted on 22 December 2009 by Gjakova PRESS

Selman Riza Busti

Me rastin e 100 vjetorit tё lindjes sё profesor Selman Rizёs, Institucionet më tё larta shtetërore dhe akademike tё Republikës sё Shqipёrisё dhe tё Republikës sё Kosovës, nё bashkëpunim me Komunën e Gjakovës, nёn përkujdesjen e presidentit tё Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, e përmbushen  amanetin e kësaj figure tё shquar tё historisё dhe kulturës shqiptare qё “Mbetjet e jetёs sime tё truar tё varrosen nё Kosovёn shqiptare.”

Pas arritjes së mbetjeve mortore nga Tirana në Gjakovë, në foajen e Pallatit të Kulturës  janë bërë homazhe nga qytetarë dhe përfaqësues të jetës politike, shoqërore e kulturore të Kosovës.

Pasi janë pritur në një takim tek kryetari komunës së Gjakovës Pal Lekaj, anëtarët e familjes së Selman Rizës janë falënderuar për përkujdesjen që institucionet kosovare dhe komuna e Gjakovës kanë bërë për ta shënuar këtë përvjetor.

Me rastin e 100 vjetorit tё lindjes sё profesor Selman Rizёs, iInstitucionet me tё larta shtetërore dhe akademike tё Republikës sё Shqipёrisё dhe tё Republikës sё Kosovës, nё bashkëpunim me Komunën e Gjakovës, nёn përkujdesjen e presidentit tё Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, po e përmbushin  amanetin e kësaj figure tё shquar tё historisё dhe kulturës shqiptare qё “Mbetjet e jetёs sime tё truar tё varrosen nё Kosovёn shqiptare.”

Pas arritjes së mbetjeve mortore nga Tirana në Gjakovë, të mërkurën, në foajen e Pallatit të Kulturës  janë bërë  homazhe nga qytetarë dhe përfaqësues të jetës politike, shoqërore e kulturore të Kosovës.

Pasi janë  pritur në një takim tek kryetari komunës së Gjakovës Pal Lekaj, anëtarët e familjes së Selman Rizës janë falënderuar për përkujdesjen që institucionet kosovare dhe komuna e Gjakovës kanë bërë për ta shënuar këtë përvjetor.

“Selman Riza është një patriot konstant  ashtu siç kanë qenë edhe shumë burra të tjerë të Kosovës. Patriotet e mëdhenj një komb nuk I nxjerr në mënyrë të rastësishme. Kanë qenë gjithë shqiptarët e Kosovës që në mënyrë të vazhdueshme kanë luftuar për të drejtat e tyre, dhe  janë lidhur si mishi me kockën për tokën e vet,  që ka bërë të mundur lindjen e këtyre figurave të mëdha” tha i biri Emin Riza duke shtuar se ..“Figurat e mëdha nuk mund të lindin në shkretëtirë, kanë lindur në këtë mjedis patriotësh të gjerë”…

Ai e ka konsideruar ditën e sotme si mjaftë të rëndësishme.

“Dita e sotme   për familjen tonë dhe për mbar qytetaret e Kosovës dhe Shqipërisë është një ditë e rëndësishme, sepse po jetësohet një amanet I dhënë që moti. Ai ishte I bindur se Kosova një ditë do të jetë e pavarur për dy arsye: si për të drejtën historike,  sepse Kosova që në muzgun e historisë ishte  e banuar me shqiptar dhe të  atyre që deshën ti zhbënin si shqiptar,  prandaj do ta meritonin plotësisht lirinë e tyre” tha Emin Riza.

Pёr tё  shënuar nё mёnyrё dinjitoze 100 vjetorin e lindjes sё  profesor Selman Rizёs u zhvilluan njё sёrё veprimtarish tё organizuara nё Gjakovë dhe nё Prishtinë.

Në praninë  e shumë qytetarëve dhe mysafirëve nga Kosova e Shqipëria, të  enjten, në varrezat e qytetit në Gjakovë u varrosen eshtrat ndërsa   në parkun qendror  u zbulua busti I atdhetarit dhe shkencëtarit të shquar Selman Riza, i cili këtë vit shënon 100 vjetorin e lindjes.

Në fjalën e rastit, mbajtur në varrezat e qytetit në Gjakovë,  Besim Bokshi, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës  foli për biografinë jetësore të Selman Rizës, që nga lindja deri në vdekje. Me këtë rast, akademiku Besim Bokshi tha se “Selman Riza, me organizim të rëndësishëm politik u përpoq për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe me amanetin e lënë tregoi se shkoi pa e humbur shpresën për liri”.

Ndërkaq, Pal Lekaj, kryetar i komunës së Gjakovës në fjalën e tij ndër ka spikatur se “ kjo është një ditë e shenjtë ku tani Gjakova për çdo ditë po rikthen bijtë e vet në arkivole, duke i rikthyer kështu në gjenezën tek dheu i plleshëm”.

Në emër të familjes ka falënderuar  Emin Riza, biri i Selman Rizës që ka thënë se “amaneti i tim eti ishte thellësisht mëmëdhetar. Kurrë nuk prau së ndjeri gjakovar, bir i Kosovës shqiptare, duke e lënë testamentin e tij, së pari moral”.

Edhe  në zbulimin e bustit në qendër të qytetit ishin një numër i madh i qytetarëve dhe mysafirëve tjerë nga Kosova e Shqipëria. Me këtë rast akademik Rexhep Ismajli zëvendëskryetar i ASHAK vlerësoi lartë figurën e Selman Rizës ,njërit prej shkencëtarëve më në zë në lëmin e gjuhësisë shqiptare, njëherazi njërit prej luftëtarëve më konsekuentë kundër sistemeve diktatoriale të kohës së vet.

“Në fushën e krijimtarisë Riza mbolli farën e studimeve të albanistikës” tha Ismajli.

Ndërkaq  zëvendës kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë akademik Myzafer Kurkuti duke sjellë  përgëzimet e Akademisë së Shqipërisë për këtë  ngjarje të rëndësishme mbarëkombëtare, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Selman Rizës, theksoi se “Selman Riza me këtë bustë që po e zbulojmë, erdhi në mes të sheshit të Gjakovës  në saje të veprimtarisë së tij për gjithë jetën sa jetojë, për të mbetur përjetësisht për brezat si një vend që flet se këtu ka lindur një burrë, një dijetar e shkencëtar i zoti  dhe patriot i madh i kombit shqiptarë”.

Busti i ngritur në qendër të Gjakovës, është vepër e  skulptorit Ismet Jonuzi.

“Ka qenë një përgjegjësi por edhe krenari që të skalisë një figurë shumë dimensionale siç ishte Selman Riza” tha Jonuzi.

Në Muzeun Etnografik të qytetit u hap ekspozita e fotografive nga jeta dhe puna e Selman Rizës,  me ç’rast u  përuruan botimet e Rizës për të cilat folen  akademik Mehmet Kraja dhe akademik Eqrem Basha.

Aktivitetet e ngjeshura të ditës së 26 nëntorit janë përmbyllur nё Pallatin e Kulturёs “Asim Vokshi” ku u mbajt  simpoziumi shkencor pёr figurёn  dhe veprёn e Selman Rizёs.

Akademik Besim Bokshi me këtë rast falenderojë qytetin e Gjakovës,  Kuvendin Komunal , kryetarin Lekaj dhe gjithë ata që ndihmuan që ky manifestim të organizohet në mënyrë të shkëlqyer.

Në emër të Kuvendit Komunal ka përshëndetur Agim Koci, i cili  tha se”Selman Riza është babai shpirtëror i Gjakovës dhe mbarë kombit”.

Në sesionin shkencor ligjëruan akademik Rexhep Ismaili “Figura dhe vepra e Selman Rizёs”, prof. dr. Ardian Marashi “ Selman Riza, model kulturor i njё punonjësi shkencor”, akademik Kolec Topalli “Vendi i Selman Rizёs nё shkencat albanologjike”, prof. dr. Ëilfred Fiedler “:  Studimet e Selman Rizёs pёr gramatikёn e shqipes”, dr. Hysen Matoshi “ Selman Riza dhe institucionalizimi i studimeve albanologjike nё Kosovё”, prof.dr. Seit Mansaku “Modeli shkencor dhe kritik i Selman Rizёs dhe tradita e shkrimit tё shqipes”, prof.dr. Francesco Altimari “Pёr figurёn dhe veprёn e Selman Rizёs” dhe prof. dr. Aleksandёr Meksi “ Selman Riza njё disident.

Prof.dr. Ardian Marashi, drejtor i Qendres së Studimeve Albanologjike në  Tiranë, në  emër të insistucioneve shkencore dhe të kolegëve të Shqipërisë ka kërkuar ndjesë për qëndrimet e kohës ndaj Selman Rizës.

Selman Riza u lind në Gjakovë më 1909 dhe vdiq në Tiranë  më 1988. Gjithë jetën e tij ai i kushtoi kombit, në  veçanti çlirimit të Kosovës, dhe shkencës së albanologjisë.

Liri  Dhrimo

Qyteti I Gjakovës gjithmonë është përmendur në familjen tonë  si një qytet I dashur dhe I shtrenjtë, si një qytet ku ka lindur ati im.

Kur shoqet më pyesnin e me pyesin edhe sot nga je, u kam thënë jam nga Gjakova, ndonëse e vogël unë asnjëherë se kisha parë Gjakovën, e kisha thellë në zemër. Tani sa herë që vi në Gjakovë me duket që jam në një gjendje shumë të këndshme, sikur fluturoj, sikur ajri që thith edhe njerëzit që shikoj më bëjnë me krah, sikur nuk eci por fluturoj.

Jam e lumtur që amaneti I madh I tim eti po realizohet pikërisht tani. Ai do të prehet e do të qetësohet në gjirin e ngrohtë të qytetit të tij të lindjes, do të ngrihet në qendër edhe busti I tij edhe unë do të jem gjithmonë me zemër brenda bustit, brenda Gjakovës dhe me zemër mu në qendër të saj.

FJALA E PRESIDENTIT SEJDIU, NË AKADEMINË E SHËNIMIT TË 100-VJETORIT TË LINDJES SË PROFESORIT SELMAN RIZA
I nderuari kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, zotni Besim Bokshi, I nderuari nënkryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Shqipërisë, zotni Myzafer Korkuti, Ministra dhe përfaqësues të pushtetit qendror e lokal, E nderuara familje e prof. Selman Rizës,

Të nderuar pjesëmarrës të akademisë solemne kushtuar 100-vjetorit të lindjes së prof. Selman Rizës
Jam i nderuar sonte që flas para një auditori të respektuar, në akademinë solemne kushtuar 100-vjetorit të lindjes së atdhetarit dhe intelektualit të madh, prof. Selman Riza.
Si president i Republikës së Kosovës, isha shumë i nderuar që po më krijohej mundësia që  gjithë veprimtaritë e organizuara për këtë përvjetor, të udhëhequra nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, të mbahen nën përkujdesjen time. (më shumë lexoni ne numrin festiv Gjakovapress-Nr.19)

Zeki Vehapi.

Comments Off

Gjakova mikpritëse e 56 bukurosheve të botës

Posted on 06 October 2009 by Gjakova PRESS

Miss-Globe-International-07

Më 23 tetor Gjakova do të mirëpres bukuroshet e botës, pjesëmarrëset e manifestimit tradicional të bukurisë “Miss Globe International 2009”. Me këtë rast ato gjatë ditës do të vizitojnë Çarshinë e Vjetër të Gjakovës dhe monumentet tjera kulturore e historike të Gjakovës, ndërsa në mbrëmje, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” do të organizohet spektakli kulturor i prezantimit të këtyre bukurosheve.

Nikoqir i pritjes në Gjakovë, do të jetë kryetari komunës Pal Lekaj i cili ka përkrahur projektin e organizatorit të kësaj ngjarje kulturore, Petri Bozo, ndërsa në konferencën për medie ka deklaruar se “ Përfaqësueset e bukurisë së shteteve të botës do të gjejnë një mikpritje të ngrohtë në qytetin e bukur të Gjakovës”.

Misioni i këtij viti i “Deliart Association” si organizator I kësaj ngjarje të rrallë kulturore është promovimi I bukurive shqiptare, përkatësisht lansimi i markës, Made in Albania dhe Made in Kosova.

Kryetari komunës së Gjakovës, Pal Lekaj në emër të qytetit mikpritës të Miss Globe 2000 me 23 tetor, tha se “Gjakova do t iu ofrojë mikpritje të ngrohtë, për ta ndier veten si në shtëpinë e tyre”, ndërsa ka lavdëruar punën e Bozos për përpjekjet që po bënë me këtë manifestim, për ta prezantuar Shqipërinë dhe Kosovën, si vende të miqësisë, bukurisë dhe begatisë së vlerave që mund t iu ofrojë botës.

Sivjet turi i bukurosheve nga 56 vende të botës do të fillojë në Jug të Shqipërisë, për të vazhduar në Veri e më pas në Kosovë, në Prizren, Gjakovë, Pejë dhe Gjilan dhe do të jetë ky rast i mirë që bukuroshet e botës, duke sjell vlerat kulturore të vendeve të veta, do të marrin edhe bukuritë e Kosovës, shtetit më të ri në botë. Këto komente I bëri të ditura, organizatori I këtij manifestimi, Petri Bozo.

Ai ka fol për rëndësinë e këtij evinimenti duke e radhitur Shqipërinë dhe Kosovën mes familjes së madhe të shteteve nga të gjitha kontinentet. Deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë event 56 vende të botës, të shtrirë në një hartë që fillon nga Amerika e deri në Lindjen e Largët.

“Do të jetë ky rast I mirë që edhe Kosova të prezantojë vlerat e veta më të mira tek përfaqësueset e 56 shteteve të botës, bile edhe të atyre shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën” tha Bozo

.“Pikërisht përfaqësueset e bukurisë së këtyre vendeve do të ngrenë flamujt e tyre dhe ky është një hap më shumë për njohjen dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës. Një hap domethënës, një kontribut në misionin e të gjithë shqiptarëve”.

Comments Off

Advertise Here
Advertise Here

Doli në shitje

Gjakova Press Nr_26 ......................................

Moti sot

20°C
Mon Clear
22/7
Tue Clear
25/10
Wed Clear
26/11

Lajmet e Fundit

Ndëgjo LIVE

RadioGjakova ......................................

REKLAMA