Archive | Fejtone

Zejet që po humbin – Saraçët, Dikur 20 dyqane, sot mezi tri

Posted on 10 March 2010 by Gjakova PRESS

Carshia

Shkruan: Zeki VEHAPI.

Në  bërthamën e Çarshisë së  Vjetër, bri Xhamisë së  Hadumit, objektit të parë  të ndërtuar në Gjakovë,  është i hapur dyqani i saraçit Fehmi Vejsa. Prodhimet e tij të renditura e me një kolorit të  jashtëzakonshëm ia shtojnë bukurinë Çarshisë, dhe ndoshta më të moshuarve ua kujtojnë kohën kur  para shumë dekadave, këtu gumëzhinte puna e  jeta.

Pak më  tutje edhe një tjetër dyqan i saraçit Hysni Morina,  e më larg edhe i fundit në  Gjakovë, ai i Fatmir Vejsës.  Vetëm këto tri pika të ekspozimit të prodhimeve të shumta të saraçëve janë gjurma dhe shenja e vetme dësmuese se në këtë pjesë të qytetit dikur kishte dhjetëra të tillë. Kjo është pasqyra e vërtetë e vazhdimësisë së traditës shekullore për saraçët-përpunuesit e lëkurës,  një nga degët më të mëdha të Esnafit të tabakëve të njohur të Gjakovës.

Komuna e Gjakovës gjithnjë ka qenë e njohur për zejtarinë e zhvilluar. Kronistë të njohur të kohës e kanë quajtur qytet të zejeve, ngase këtu janë kultivuar dhjetëra zeje. Gjakovarët kanë jetuar nga zejtaria dhe  nga puna prodhuese që kanë bërë nëpër dyqanet e renditura nëpër Çarshinë e Vjetër. Kështu ishte dikur, por sot gjërat kanë ndryshuar shumë duke shkuar në zhdukjen e shumë prej këtyre zejeve.

Edhe saraçët e Gjakovës kanë ngelë pak. Dikur ishin 20 e sot vetëm tre. Dikur këtë zeje e kultivonin shumë familje, ndërsa sot ka mbetur vetëm në familjen Vejsa( Fehmiu dhe Fatmiri) dhe në familjen Morina. Dyqanet e tyre edhe sot janë të hapura me qindra prodhime saraçësh që i dedikohen më tepër produkteve për kuaj: Jaka, Shala, rripa e tj. si dhe prodhime tjera, mirëpo të rrallë janë blerësit.

“Kohërat kanë ndryshuar rrënjësisht. Dikur çdo familje në fshat kishte nga dy kuaj me të cilët “niste e bitiste” (Fillonte e mbaronte) ditën e punës në bujqësi, ndërsa sot,  një fshat nuk e ka asnjë kali, prandaj edhe kërkesa për prodhime saraçësh ka rënë gati në zero” thotë Fehmiu sot 62 vjeçar që ka trashëguar zanatin e babait të vet Xhemajli dhe të gjyshit, saraçit të njohur Ismajl Vejsa.

Në dyqan ai ruan edhe  ca shala kuajsh që janë të punuara me një mjeshtri të rrallë nga paraardhësit e tij. Ata kanë qenë mjeshtër të zot.

Fehmiu kujton se nga paraardhësit e tij ka mësuar për shumë gjëra që  janë të lidhura me këtë zeje. Ai kujton se lëndën e parë saraçët e kanë marrë nga tabakët që i kanë përpunuar lëkurat në taphanet e Gjakovës. Atë botë saraçët kanë punuar edhe “opinga me kuja druri” që kanë qenë mjaftë të kërkuara në treg. Një palë opinga të tilla i ka të ruajtura edhe sot si model në dyqan.

“Në kohën kur kemi punu me babën i kemi pas edhe shtatë kallfallarë, pasi ka pasur punë të mjaftueshme”, kujton ai me nostalgji.

Duke dëgjuar këto mendime, më kujtohen edhe kujtimet e terziut në zë  të Gjakovës, Sulejman Haxhiavdylit që fare pranë këtij dyqani e kishte punëtorinë e tij. Ai para 30 vitesh më kishte thënë se në dyqanin e tij prej terziu- rrobaqepësi,  kishte mbi 30 kallfallarë që punonin në dy kate të dyqanit. Atëherë vlonte Gjakova nga puna… them sot,  duke kujtuar lavdinë e zejtarëve gjakovarë që furnizonin me prodhimet e veta cilësore Shkodrën e Sanxhakun. Një hap më tutje,  ku  po bënim bisedën për saraçët, kishim biseduar para 30 vitesh me  “bacën” Sulejman për rolin e madh të zejtarëve dhe Esnafeve të Gjakovës që kishin në rregullimin e rrjedhave ekonomike dhe shoqërore të komunës.

Njëjtë  si për terzitë kishte arritje të mëdha ekonomike edhe për ata që bënin punën e  saraçit. Me djersën e tyre saraçët fitonin mirë. Sot krejtësisht ndryshe.

“ Përpara kur i kanë pas kuajt për qerre tërheqëse,  atë e kanë shfrytëzuar për punë dhe normalisht edhe jakat  që i punojmë ne,  janë harxhuar. Tash edhe nëse dikush ka një kali, atë e ka për qejf dhe jakat e shalat që i punojmë ne, atij  i bënë me vite”, thotë ai.  Pra,  sot për ndryshim nga dekadat e kaluara, puna e saraçit ka rënë në masë të madhe, pasi tash gjithçka është motorizuar.

“Sot një jakë në muaj a shitet e ajo, ndërsa të ndryshojmë produktet prodhuese nuk kemi llogari sepse produktet kineze e turke kanë depërtuar me të madhe në tregun tonë me çmime shumë të ulëta”, pohon ai pas pyetjes sonë se a ka provuar që të prodhojë, ta zami kallëpe telefonash mobil që janë nga lëkura apo diçka të ngjashme që është në hap me modën…

“Me këtë ritëm të punës që mezi mbahesh, nuk do të dëshiroja që fëmijët e mijë ta trashëgojnë zejen” është kategorik ai.

Veç  ndryshimeve të mëdha në zonat rurale,  ku kuajt që  moti i kanë zëvendësuar traktorët dhe pajisjet tjera agroteknike për të kryer punët e fushës,  humbja e  gjallërisë  së Çarshisë së Vjetër ka ndikuar në afarizmin e kësaj zone.

“Vetëm dëshira e madhe për punë dhe shpresa se një ditë do të bëhet më mirë më nxit që të punojë çdo ditë me entuziazëm” thotë Vejsa në pritje të premtimeve se me turizmin kulturor do të kemi përfitime edhe ne zejtarët.

“Po thonë se me zhvillimin e turizmit kulturor, ku Çarshia e Vjetër do të jetë pikë kryesore e vizitave të turistëve, do të kemi edhe ne dobi”, shpreson  ai.

Mirëpo Fehmi Vejsa tash është mësuar që të dalë në  dyqanin e tij. Me entuziazëm e kishte nisur mëngjesin në muajt e parë të pas luftës, mirëpo puna gjithnjë e më shumë po shkonte drejtë rënies.

“Menjëherë pas luftës nuk ka qenë sikur sot. Në treg kam shitur  deri në shtatë jaka të kuajve. Vetëm qiraja e vogël po më mban,  sepse me këtë punë nuk mund të mbulojë as shpenzimet e ditës”, thotë Vejsa.

Me gjithë  këto vështirësi duket se madhështia e zanatit dhe krenaria e carshisë  së Vjetër po ia mbanë gjallë dëshirën për ta mbajtur ende gjallë këtë zeje në familjen e tij. Ai,  nuk beson se do të ndahet nga zanati që e punon që nga mosha 10 vjeç, bashkë me tre  vëllezërit e tij.

Comments Off

NJË BIRRË E FORTË PËR NJË SHQIPTAR TË FORTË

Posted on 10 March 2010 by Gjakova PRESS

Birra

Shkruan: Prof .Masar RIZVANOLLI.

Që  në periudhën antike ilirët përdornin lloje të  ndryshme birre e sidomos birrën e prodhuar nga mjalti. Krahas kësaj, sipas Shën Jeronimit, ata e përdornin edhe birrën, të  cilën e prodhonin nga elbi dhe e quanin me emrin popullor S a b a i a. Pse sot në Kosovë nuk ka birrë me këtë emër?

Në shtator të vitit 2004 mësuam se birraria  “Beer 2 go” në Angli kishte nxjerrë në treg një birrë me emrin “Skenderbeg”, në etiketën e të cilës paraqitej figura e heroit kombëtar shqiptar. Kjo ide i lindi rastësisht njërit nga drejtorët e “Beer 2 go”, Ginny Buchan-it, i cili kishte vizituar Shqipërinë, ku dëgjoi për 600 vjetorin e lindjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, që duhej të shënohej në ndonjë mënyrë. I entuziazmuar nga luftërat e tij heroike për çlirimin e popullit të tij nga pushtuesi mendoi se do të ishte një ide e mirë për të prodhuar një birrë me emrin e këtij fatosi legjendar. “Një birrë e fortë për një shqiptar të fortë”, kishte deklaruar ai.

Sipas një proklamate të kompanisë ky vendim u mor për arsye se viti 2005 shënonte 600 vjetorin e lindjes së Skënderbeut, një heroi të shek. XV-të, që çliroi vendin e tij nga sundimi i Perandorisë Osmane.

Nga ana tjetër, para sa vitesh, fill pas çlirimit të Kosovës, patëm lexuar nga një gazetar që “fare pak ishte adhurues i pijeve alkoolike, dhe se fare pak qëndronte nëpër restorante e kafene të ndryshme,” të cilit i kishte  “rënë në sy një paradoks i kohës” se në Kosovë fare pak konsumohej birra e Pejës dhe se, madje, në disa kafene nuk e mbanin fare këtë birrë ngase ajo nuk kërkohej. Autori i sinqertë mendonte se kjo “bëhet nga një mendjemadhësi e tepruar e njerëzve dhe një nënçmim për prodhimet tona,” edhe kur ato për kah cilësia, janë në shkallë shumë më të lartë se ato të importit dhe për kah çmimi janë për gjysmë më të lira se sa ato që vijnë nga jashtë.

Midis vërejtjeve, një pjesë e të cilave shkonte edhe në adresë të birrarisë, autori i shkrimit e shtronte edhe një çështje, që në pamje të parë duket të jetë thjesht politike. Ndër të tjera ai shkruante:”Një diçka e tillë, sikur më shqetëson, dhe se ndoshta edhe këtu është një element sa ne jemi kombëtar, sa e duam vetveten dhe prodhimet tona.”

Ajo që na shtyri, asokohe, të merremi me këtë shkrim ishte pyetja që e shqetësonte autorin e përmendur dhe që ua shtronte konsumatorëve, por jo drejtpërdrejt edhe përgjegjësve të birrarisë :”Sa na jemi kombëtar, sa e duam vet veten.”? Por ne do të shtonim: a ishin etiketat me emërtimet Pils apo Extra simbole të vërteta të një pijeje vendëse, e cila nuk ishte, sipas disave, vetëm një pije e zakonshme tregu, por ishte një simbol jo vetëm i Pejës dhe lumit të Drinit, por, asokohe, në atë gjendje të rrënimit ekonomik, ishte edhe simbol i tërë Kosovës? A nuk patëm mundësi të gjejmë një emërtim më të përshtatshëm, i cili do të simbolizonte traditën mijëvjeçare të prodhimit dhe të shpenzimit, madje të tepruar, të birrës nga të parët tanë qysh në periudhën antike, madje edhe më herët se sa filluan ta prodhonin dhe ta konsumonin atë bartësit e vet emërtimeve Pils dhe Extra, nga të cilët i huazuam këto emërtime?

Sot çdo qytetar i rëndomtë që ka patur rastin të  lexojë diç për kulturën dhe traditën ilire e din se të  parët tanë ishin të njohur për ahengje, në të cilat merrnin pjesë edhe gratë dhe ku  piheshin me të madhe lloj-lloj pijesh. Perëndia greke e verës – Dionisi te fisi ilir i peonëve quhej Dualos. Këtë emër filologjia bashkëkohore e lidhë me fjalën shqipe  “dej,” i dehur dhe me atë gote  “dëals”- i marrë. Këto dy fjalë, sipas tyre, kanë dalë nga po ajo rrënjë, nga e cila është formuar edhe emri i kësaj  hyjnie peone.

Që në periudhën antike ilirët përdornin lloje të  ndryshme birre e sidomos birrën e prodhuar nga mjalti. Krahas kësaj, sipas Shën Jeronimit, ata e përdornin edhe birrën, të cilën e prodhonin nga elbi dhe e quanin me emrin popullor S a b a i a. Perandori romak me prejardhje ilire – Valensi e donte aq shumë këtë pije saqë e quanin me emrin përqeshës “Sabaiarius.”

Sipas pohimeve të autorëve të vjetër, ilirët, siç përmendëm më parë, ishin konsumues të mëdhenj të pijeve alkoolike. Polibi pohonte se mbreti ilir Genci ishte i dehur ditë e natë, ndërsa Agroni vdiq pasi u deh mirë dhe, për këtë shkak, mori pleuritin.

Theopompi shënoi këtë episod të luftës midis keltëve dhe ardiejve : keltët të vetëdijshëm për grykësinë e ardiejve për ushqim dhe pije u tërhoqën nga kampet e tyre, duke lënë në vende të dukshme ushqim dhe pije, në të cilat, më parë, kishin hedhur barëra helmuese. Ardiejtë, posa arritën në kampin e braktisur, u lëshuan pas ngrënies dhe pijeve, duke harruar, me këtë rast, armikun, i cili u kthye shpejt dhe i mundi.

Pseudo Aristoteli flet për pijen e shkëlqyeshme me mjaltë të  taulantëve, të cilët e prodhonin nga mjalti dhe uji në një proces, të cilin e mësuan edhe grekët prej tyre. Autori bizantin Priscusi, i cili, duke shkuar në vizitë te mbreti i hunëve, Atila, kishte vërejtur se banorët e Panonisë e përdornin këtë pije, të cilën, në gjuhën e tyre, e quanin “medos.”

Këto fakte i parashtruam jo për të bërë histori, apo për t’ua bërë qejfin bekrinjve tanë, të cilët do ta bindin veten se vetëm ata janë   “trashëgimtarë të denjë”  të ilirëve, por vetëm sa për të treguar se në prodhimin e birrës nuk na mungon tradita dhe se këtë duhet ta vazhdojmë e ta pasurojmë, na thotë mendja, jo vetëm me prodhime cilësore, por edhe nëpërmjet të ruajtjes së emërtimit të lashtë të saj.

Çudi e madhe është se si nuk marrim shembull nga popujt e tjerë, të cilët, në mungesë të një tradite kaq adekuate si kjo e jona, në etiketat e pijeve alkoolike dhe freskuese paraqesin figurat e personaliteteve të njohura historike me qëllim të afirmimit të të kaluarës së tyre jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë, aty ku arrijnë t’i eksportojnë ato. Me siguri këtë e bëjnë edhe për qëllime komerciale, duke e nxitur sedrën patriotike të konsumatorëve vendës, të cilët nuk vrapojnë pas prodhimeve të huaja, sidomos kur ato janë më të shtrenjta dhe të një cilësie më të ulët. Dikur konjaku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ishte dhurata më e çmueshme, të cilën e ekspozonim në një vend të veçantë në vitrinat e shtëpive tona dhe e ruanim vetëm për miqtë tanë më të dashur dhe më të rrallë. Madje, këtë konjak ua dhuronim kolegëve tanë, apo miqve afaristë nga të gjitha viset e ish Jugosllavisë, ua dhuronim mjekëve në shenjë mirënjohjeje për kujdesin që tregonin në mjekimin e suksesshëm të familjarëve apo të miqve tanë. Kjo nuk ishte një dhuratë e thjeshtë, sepse tregu ishte i mbushur, asokohe, përplot pije, nga më të njohurat në të katër anët e botës; ky ishte një mesazh që kuptohej spontanisht sapo të dorëzohej dhurata e që shprehej nëpërmjet pyetjesh të llojllojshme rreth personalitetit të Skënderbeut dhe luftërave çlirimtare të tij, rreth një figure të shquar historike, për të cilën, disa syresh, dëgjonin për herë të parë.

Në prag të Vitit të Ri 2000 shumë konsumatorë  kërkonin nëpër shitoret e Prishtinës konjak Theranda, prodhim i NBI “Suhareka,” të gëzuar për rifillimin e punës së fabrikës së pijeve alkoolike, por edhe të shtyrë nga kureshtja për të parë si dukej etiketa  që mbante emrin e një vendbanimi tanë të lashtë dhe për tu njohur me cilësinë e këtij prodhimi. Prandaj, nuk mund të thuhet se si konsumatorë nuk  “jemi kombëtarë” sa duhet, por duhet edhe pak mjeshtri dhe mirëkuptim dhe përpjekje nga prodhuesit për të nxitur te konsumatorët sentimente të caktuara, të cilat paraqesin gjendje të ndërlikuara emocionale dhe motivuese për të vepruar me ndjenja të caktuara. E patriotizmi është një sentiment që ndikon fuqishëm te individi për të mbrojtur atdheun. Konjaku Theranda mendojmë se është një shembull pozitiv në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore historike në një segment të kufizuar që duhet përkrahur.

Këtë shkrim nuk ia kemi dedikuar vetëm birrarisë së  Pejës, e cila me prodhimet e saja cilësore po tërheq gjithnjë  e më tepër konsumatorët vendës e të huaj. Drejtuesit e saj dinin shumë më tepër për traditën ilire të  prodhimit të birrës se sa patëm mundësi të flasim në këtë shkrim. Për këtë u bindëm në veren e vitit 1999 kur sapo kishte filluar prodhimi, kur në emër të Shoqatës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Historike Gjithëshqiptare dhe të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, vizituam fabrikën e sapolëshuar në prodhim për t’iu sugjeruar që emërtimin “Extra” ta zëvendësonin me “Sabaia.” Me këtë rast u befasuam për të mirë nga njohuritë e thella që kishte njeri nga përgjegjësit e fabrikës mbi mjeshtrinë e ilirëve për prodhimin e llojeve të ndryshme të birrës. Na befasoi për të mirë edhe më tepër e dhëna që dëgjuam për herë të parë se drejtuesit e fabrikës qysh herët, në fillim të prodhimit të saj, kishin kërkuar leje nga Shoqata e Birrarive të ish Jugosllavisë për ta emërtuar birrën e tyre Sabaia, por Shoqata e përmendur nuk e kishte lejuar këtë. U ndamë shumë të kënaqur me bindjen se në etiketën e re do ta lexojmë emrin Sabaia. Natyrisht se ata mund të kenë pasur arsye të thella, në radhë të parë, ekonomike, për të mos e pranuar sugjerimin tonë. Megjithatë besonim se do të ishte aktuale edhe më tutje pyetja :P ils, Extra apo Sabaia?

Por, si iu përgjigjën prodhuesit e birrës nga Peja sugjerimeve të  ekspertëve vendës? Në etiketën e fundit atë e emërtuan me emrin e qytetit ku prodhohet sot kjo birrë. Nuk e dimë nga iu erdhi kjo ide! Nga motive lokaliste,  nga ndikimi i Birrës së Nikshiqit, apo i Birrës së Tiranës? Dihet se pikërisht në lokalet e vet qytetit të Pejës konsumohet me të madhe Birra e NIkshiqit.

Prandaj, me këtë shkrim iu drejtohemi birrarive të reja, që do të ndërtohen në të ardhmen, ndonjëra nga të cilat mund të denjohet dhe ta pranojë sugjerimin tonë. Me siguri Shoqata e Birrarive të ish Jugosllavisë nuk do të këtë sot mundësi të ndalojë asnjë prodhues të Kosovës që ta realizojë një ide të tillë fisnike për çdo popull të qytetëruar.

Comments Off

AHENGU GJAKOVAR NË SHEKUJ (XIV)

Posted on 04 July 2009 by Gjakova PRESS

/Vijon nga numri i kaluar/

ZYHRA S. MULA
Zyrah MulaKëngëtarja e parë që doli nga ky truall është Zyhra S. Mula. Lindur me /1920 -1994/ në Gjakovë nga një familje qytetare patriotike. I ati Selim Mula ishte një luftëtar i ngushtë i çetës së Bajram Currit dhe roje personale e tij. Ky trim së bashku me Bajram Daklanin, Mehmet Dushmanin, i bënin rezistencë pushtuesit osman e më vonë edhe këtij serb. Duke qenë i syrgjynosur në Kastamoni të Turqisë, martohet me Hatixhen, për t’u kthyer bashkë me të në Gjakovë.
Edhe pasi kthehet në vendlindje përsëri vazhdon rezistencën ndaj pushtuesit serb. Për këtë arsye ndiqet nga pushteti i atëhershëm. Me 1931 së bashku me gruan, djalin, Jusufin dhe vajzën Zyhranë – 11 vjeçare lëshon Kosovën për t’u vendosur në Shkodër. Ky qytet, djepi i këngës qytetare i krijoi mundësinë artistës sonë që të mësojë shumë këngë shkodrane. Kënga shkodrane i pëlqente shumë dhe pothuajse nuk kishte këngë që nuk e dinte dhe e këndonte me pasion. Si vajzë gjakovare, më e ngritur dhe më e emancipuar ka fatin të martohet në një familje të dalluar gjakovare, që jetonte në Tiranë. Ky ishte Qamil Domi me të cilin Zyhraja martohet me 1937, të cilëve iu lind i vetmi djalë Fitimi /Mixha Ramë/.
Pas lindjes së djalit, Qamili vdesë. Mu këtu fillojnë peripetitë jetësore të kësaj artiste.
Me 1941 përsëri kthehet me familjen në Kosovë dhe vendoset në Prizren. Vijon ne gazet…

Comments Off

FUTBOLLISTË ME NAM NXORI GJAKOVA III

Posted on 04 July 2009 by Gjakova PRESS

vellaznimi-pas-luftes-dyt-boterore

FUTBOLLI NË GJAKOVË GJATË DHE PAS LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Pas luftës, më 1945, me iniciativën e Xhafer Vokshit, anëtar i Komitetit krahinor dhe kryetar i Komitetit krahinor të rinisë, është formua klubi i futbollit “Ylli i Kuq“, kryetar i tëcilit u zgjodhë Xhafer Vokshi, sekretar Faik Riza, arkatar Hajrullah Danqeli.
Anëtarë të Kryesisë ishin : Shahin Kryeziu, Masar Kadiu etj. Lojtarë ishin : ZeqëLuzha, Qemajl Zajmi, Hamid Lleshi, Mon Lleshi, Ahmet Zajmi, Mehdi Xharra, Gani Zhaveli, Hilmi Luzha, Selajdin Bingazi, Xhevdet Kurhasani, Sahit Naqa, Qamil Zuna, Mile Mijomanoviq, Nebi Dylatahu dhe Ramiz Osa-Juniku.
Më 1946 u formua klubi me emrin “Punëtori“ (“Radniçki“) për të cilin luanin : Masar Kadiu, Isa Domi, Ramiz Juniku, Xhevdet Kurhasani, Selajdin Bingazi, Tomo Jovanoviq, Kërsto Mihajloviq, Dimë Gligorijeviq, Zhivko Zariq, Muhedin Hadri, Isa Qurdina dhe Avdullah Dylatahu.
Në mesin e vitit 1948 u bë fuzionimi i këtyre dy klubeve : “Yllit të Kuq“ dhe “Radniçkit“ dhe klubi i posaformuar mbante emrin në serbishte “Bratstvo“, i cili emër nuk u mbajt shumë dhe një vit më vonë u bë përkthimi i emrit të klubit në gjuhën shqipe. Nga kjo kohë klubi e mbanë edhe sot emrin “Vëllaznimi“. Kryetar i klubit u zgjodhë Xhevdet Hamza, kurse anëtarë të Kryesisë së klubit ishin : Dragi Gligorijeviq, Rexhep Syla, Nijazi Xharra, Faik Dushi, Hajrullah Danqeli, Sulejman Dalladaku etj. Për ekip të “Vëllaznimit“ luanin këta futbollistë : Zeqë Luzha portier, Qemajl Zajmi mbrojtës i pakompromis, Isa Qurdina qendërmbrojtës, Hamid Lleshi qendërmbrojtës atraktiv me starte rrëshqitëse, Mehdi Xharra mesëfushorë, Zejnel Boshnjaku mesëfushorë, Selajdin Bingazi sulmues i majtë e dribler, Sahit Naqa sulmues i tërhjekur me teknikë të lartë, Mile Mijomanoviq sulmues, Hamdi Nuqi sulmues tipik të cilit iu friksoheshin jo vetëm portierët, por edhe e tërë mbrojtja kundërshtare e si karakteristikë e golave të tij ishin me gjuajtje me gërshërë, Branisllav Jovanoviq sulmues, Ahmet Zajmi qendëmbrojtës dhe dirigjent i tërë mbrojtjes e kapiten i vërtetë i skuadrës, Isa Dujaka mbrojtës, Ramiz Osa-Juniku sulmues, Mon Lleshi mesfushorë etj.

Për gjeneratën e parë të pas Luftës së Dytë Botërore, ndër lojërat e shumta, mbahen në kujtesë takimet   kundër “Nasha Krillës“ të Beogradit dhe “Garnizonit“ të Nishit. Edhe pse rezultatet nuk ishin të mira (vetëm një barazim), Vëllaznimi  ka lënë përshtypje shumë të mira.
Edhe të rinjtë e “Vëllaznimit“ zhvilluan një takim me “BSK-ën“ e Beogradit ku në mes shumë futbollistëve mbahen në mend : Zejnel Perteshani, Lom Arllati, Jahja Shehu, Fehmi Macula, Nafi Byci, Shinasi Rizvanolli, Mazllom Vala, Aqif Binishi, Skender Gjiha etj.
Pas Luftës së Dytë Botërore, nga vitet 1945/46, skuadra e atëhershme e Vëllaznimit me emrin Ylli i Kuq, ka marrë pjesë në garat kampionale të Ligës së Kosovës. Mungon dokumentacioni zyrtar për ato gara dhe çdo gjë që tani mund të dijmë janë deklaratat e futbollistëve si edhe shtypi periodik i atëhershëm, fjala është për gazetën “Rilindja“. Kështu është gjetë shenimi se Ylli i Kuq i ka zhvilluar dy ndeshje kampionale me Metohinë e Prizrenit: së pari në Prizren më 5 mars 1946 kur gjakovarët fituan me rezulltat 2:1. Vijon ne gazet…

Comments Off

TRADITA E GJAKOVARËVE PËR FUTBOLLIN

Posted on 17 June 2009 by Gjakova PRESS

Veteranet e pare te futbollit Gjakvoarë

Gjakova është e lidhur ngusht me emrin e klubit “Vëllaznimi” dhe kjo pos tjerash flet edhe për traditën e madhe që ka për futbollin në veçanti. Rrugëtimi i futbollit në Gjakovë nisë që nga kohët e hershme.

Historia e zhvillimit të futbollit gjakovarë është e begatë dhe e ruajtur brezë më brezë. Megjithkëtë, ish futbollisti i shquari viteve të gjashtëdhjeta-shtatëdhjeta, Sali Vula, më pastaj gazetar sportiv e tash punëtorë arsimi në shkollën fillore “Yll Morina”, me një kujdes të shtuar ka ruajtur në arkivën e vet gjithë këtë begati të shkrimeve, analizave, fotografive të futbollit gjakovarë. Duke gjetur mirëkuptimin e plotë dhe falenderimin, redaksia e gazetës “Gjakovapress” vazhdon me botimin e Fejtonit për futbollin gjakovarë. Veterani i futbollit gjakovar, zot.Faik Dushi, më 20 dhjetor 1924 solli topin e parë të lojës së futbollit në Gjakovë. Gjatë udhëtimit zyrtar ku ka marrë pjesë në një trajnim të firmës së njohur “Singer“ e ka blerë topin e futbollit i cili për gjakovarët ishte një risi, sepse deri atëherë luhej me topa me cukla apo me lesh të lopëve.

Formimi i klubit futbollistik “SHPATA E KOSOVËS”

Në muajin maj të vitit 1925, me iniciativën e këtyre shokëve : Faik Dushi, Selim Muhaxhiri, Sokol Dobroshi, Ismet Stavileci, Qazim Damonaga, Sherif Lluhani, Iljaz Berisha, Qamil Zhubi, Bektash Guska, Nimon Mulaj dhe Milenko Mijomanoviq, është formuar ekipi i parë futbollistik me emrin “Shpata e Kosovës”. Të lartëpërmendurit, përveç që kanë qenë si iniciator për formimin e ekipit, këta njëherit ishin edhe si futbollistë aktiv. Kryetar i parë i klubit “Shpata e Kosovës” ka qenë zot. Faik Dushi. Ndeshjet e këtij ekipi zhvilloheshin në livadhet e quajtura “Rezina”, kurse nga viti 1926 ndeshjet i zhvillonte në fushat e “Bajram Pashës” tani parku i qytetit.
Për fillim, ekipi nuk zhvillonte takime zyrtare, pasi në qytet nuk kishte ekip tjetër të organizuar. Klubi ka qenë i legalizuar te organet e pushtetit të atëhershëm, por nuk ka disponuar me rregullore të posaqme. Kë
shtu edhe nuk ka mundë të zhvillojë takime me klubet e qyteteve tjera të Kosovës.

Masovizimi i futbollit te të rinjët e Gjakovës

Në muajin prill të vitit 1926, në saje të popullaritetit që gëzonte loja e futbollit në Gjakovë e sidomos në bazë të aktivitetit që zhvillonte klubi “Shpata e Kosovës” erdhi deri formimi i një ekipi tjetër me emrin “Pashtrik”. Në këtë ekip janë aktivizuar më tepër qytetarët e lagjes “Mulla Jusuf”. Kryetar i klubit ishte Isuf Mula, sekretar Xhafer Vula dhe arkatar Halil Krypa. Për ekip luanin : Ramiz Efendia, Qemajl Dobruna, Musa Luzha, Bajram Lleshi, Fahredin Xhepa, Xhafer Vula, Asllan Tuli, Halil Krypa, Mazllom Ballata, Ethem Stublla e Ramiz Juniku.
Në vjeshtën e vitit 1927 për herë të parë klubi futbollistik “Shpata e Kosovës” zhvilloi takimin e parë me ekipin “Gajret” nga Prizreni. Ndeshja u zhvillua në Gjakovë në fushat e “Bajram Pashës” dhe përfundoi me fitoren e gjakovarëve me rezulltat 2:0.
Duke u bazuar në gjendjen ekonomike të qytetarëve në kohën e Jugosllavisë së Vjetër, anëtarët e klubit futbollistik “Shpata e Kosovës“ për arsyera objektive, disa shkojnë në shkollim jasht vendit, disa largohen nga klubi dhe kështu, numri i lojtarëve u zvoglua, çka u bë e arsyeshme të vijë deri te fuzionimi i dy klubeve të qytetit : “Shpata e Kosovës” dhe “Pashtriku”.
Nga fuzionimi i këtyre dy klubeve në pranverën e vitit1929 emri i klubit ishte “Pashtriku“ dhe në mbledhjen e rregulltë të këtij klubi u zgjodhë kryesia e re e përbërë nga : Bajram Begu kryetar, Ismet Gojani sekretar, Ymer Haraqija arkatar, Faik Dushi kryetar i Komisionit teknik të futbollit dhe Adem Danqeli ekonom i klubit. Këshilli drejtues ka qenë i përbërë nga : Neshet Vula, Faik Dushi, Daut Pula, Irfan Pruthi, Asaf Qarkagjija dhe Ramiz Roka.
Për ekipin e “Pashtrikut” luanin : Ramiz Efendia, Qemajl Dobruna, Zejnelabedin (Din) Vula, Hysni Zajmi, Bajram Lleshi, Murteza Pula, Selim Muhaxhiri, Minir Kryeziu, Esat Kryeziu, Mazllom Ballata, Rasim Tullumi, Xhevdet Pallaska dhe Lubo Mijomanoviq.

Pushteti i borgjezisë serbomadhe pengonte aktivitetet futbollistike

Kryesia e klubit futbollistik “Pashtriku”, sidomos zot.Neshet Vula, ka patur shumë vështirësi rreth regjistrimit të Rregullores së klubit që duhej të bëhet në Cetinë (Mal të Zi), në të ashtuquajturën “Banovina e Zetës”. Qeveria reakcionare e atëhershme që ishte pushtet, në Gjakovë nuk lejonte punën e klubit për arsye se klubin e përbënin numër i madh i shqiptarëve e sidomos i pengonte edhe emri i klubit “Pashtrik” që këtë emër e ka edhe mali që gjendet në kufirin me Shqipërinë! Mirëpo me angazhimin e të gjithë anëtarëve të Kryesisë të prirë nga zot.Neshet Vula arrihet pëlqimi nga ana e Ministrisë në Beograd dhe këtij klubi i aprovohet Rregullorja dhe puna normale legale gjer në fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
Me regjistrimin e Klubit, fillojnë edhe angazhimet rreth furnizimit të ekipit me të gjitha rekuizitat e nevojshme të cilat ishin të domosdoshme. Këtu duhet cekur se klubi nuk ka patur asnjë ndihmë materiale nga organet e pushtetit të atëhershëm, por është financuar nga ndihmat e disa adhuruesve e veçënarisht të vetë lojtarëve dhe anëtarëve të kryesisë. Lojtarët vet i blenin këpucët, të veshurat dhe qorapët dhe i dorëzonin në klub, ndërsa anëtarët e Krysisë dhe disa lojtarë në formë ndihme depononin mjete materiale në arkën e klubit të cilat shfrytëzoheshin për udhëtime dhe ushqim kur luanin jasht Gjakovës. Pra futbolli në këtë kohë ka qenë krejtësisht në frymë amatore.
Klubi futbollistik “Pashtriku” gjatë veprimtarisë së vet ka zhvilluar takime miqësore në Prizren, Pejë, Mitrovicë dhe Ferizaj. Më së shumti ka zhvilluar ndeshje në Prizren dhe Pejë pasi që ishin më afër dhe shpenzimet ishin më të vogla.
Takimet e tilla klubi “Pashtrik” i zhvillonte në Gjakovë në fushën e Tyrbes në Brekoc.vijon në revistë…

Comments Off

Advertise Here
Advertise Here

Doli në shitje

Gjakova Press Nr_26 ......................................

Moti sot

20°C
Mon Clear
22/7
Tue Clear
25/10
Wed Clear
26/11

Lajmet e Fundit

Ndëgjo LIVE

RadioGjakova ......................................

REKLAMA