
Gjakova nderon futbollistin më të suksesshëm shqiptar
Numri i individëve që në botë e kanë afirmuar trevën e Gjakovës, Kosovën por edhe shqiptarët është mjaft i madh. Një ndër ta, padyshim është edhe ish-futbollisti gjakovar me nam botërore, Naim Kryeziu, i cili, më 19 mars 2010, në moshën 92-vjeçare, ndërroi jetë në Roma të Italisë, ndërsa u varros dje paradite në kryeqytetin italian. Në shenj nderimi për këtë sportistë të madh, në Gjakovë, në organizim të OJQ “Naim Kryeziu” që këtu vepron tash e dy vite, u mbajt një mbledhje komemorative.
Pos familjarëve dhe adhuruesve të sportit ishte prezent edhe Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. Për jetën, veprimtarinë dhe të arriturat e Naim Kryeziut, me këtë rast, folën Masar Valla, drejtor ekzekutiv i OJQ ”N. Kryeziu”, Anton Shala, drejtor komunal i sportit, Faruk Domi, udhëheqës I sektorit të sporteve, Blerim Vula, gazetar dhe sekretar i Vëllaznimit dhe familjari (nipi i të ndjerit) Burim Kryeziu.
Në emër të Kuvendit Komunal të Gjakovës dhe kryetarit Pal Lekaj , ngushëlloi familjen Kryeziu, Anton Shala, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të Gjakovës i cili theksoi se Gjakova dhe Kosova krenohen me “ambasadorin” e sportit shqiptar Naim Kryeziun.
Naim Kryeziu ishte një gjakovar që me klubin Tirana kishte fituar titullin e kampionit të Shqipërisë, ndërsa më pastaj, plotë 12 vite kishte luajtur në Serinë A të Italisë, për klubet Roma dhe Napoli, me të cilat kishte fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Italisë.
Siç potencuan folësit, është e vështirë të thuhet se Naim Kryeziu ishte futbollisti më i mirë dhe më cilësor në historinë e futbollit shqiptar, sepse, siç spikati Blerim Vula, në kohëra të ndryshme vlerësohen cilësi të ndryshme, por, është më se evidente se ai ishte futbollisti më i suksesshëm shqiptar i të gjitha kohërave, sepse askush para tij e as pas tij, nuk ia ka dalë të luaj plotë 12 stinor në njërën ndër ligat më të forta të Evropës, në Seria A të Italisë. Me lojën e tij në Itali, ai ua hapi rrugën edhe futbollistëve të tjera shqiptar.
Vokrri: Të flasësh për Naim Kryeziun është privilegj
“Naim Kryeziu, e trasoi rrugën që ne e ndjekëm më pas, prandaj të flasësh për te është privilegj por edhe përgjegjësi”-ka thënë Fadil Vokrri. Sa do që, Naim Kryeziu si fare i ri e kishte braktisur Gjakovën, duke mos bartur asnjë herë fanellën e klubit gjakovar, edhe pse, poashtu fare i ri, kishte shkuar në Itali, ai asnjëherë nuk ka hezituar që atje të prezantohet si gjakovar, si nga Kosova, si shqiptar. Këtë e ka bërë edhe në ato kohëra, kur, të prezantohesh si shqiptar në Itali, nuk ishte fare e lehtë. “Por, Naim Kryeziu e bënte këtë, sepse ishte i madh” u potencua me këtë rast. Madhështinë e Naim Kryeziut, pos tjerash e dëshmon edhe fakti se të shtunën mbrëma, futbollistët e Romës, në shenj nderimi për te, ndeshjen kampionale e luajtën duke bartur shiritin e zi. Në këtë mbledhje komemorative, edhe një herë u propozua që stadiumi i qytetit në Gjakovë, të pagëzohet me emrin e Naim Kryeziut.
Nga biografia sportive e Naim Kryeziut?
Anësori i djathtë – i bënte 100 metrat në 11 sekonda – luajti për Romën nga viti 1939 deri në vitin 1947 (122 ndeshje, 27 gola), e më pas kaloi te Napoli për ta mbyllur me Turris. Trajnoi Almasin, nga 1962 deri në vitin 1965 ishte trajneri i dytë i Romës, u rikthye sërish te Almas dhe zbuloi Giuseppe Giannini.
Naim Kryeziu nisi karrierën e tij si futbollist te klubi shqiptar SK Tirana përpara transferimit të tij në sezonin 1939-1940 te Roma. Gjakovari i natyralizuar si italian pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia e Musolinit nisi studimet në Romë për të ndjekur studimet për t’u bërë profesor i edukimit fizik.
“Ika nga Kosova shumë i ri, pasi ishte e pushtuar nga jugosllavët. Emigrova në Tiranë, ku ndodhej vëllai im që ishte nëpunës dhe vazhdonte studimet. Atje fillova të luaj futboll: 15 vjeç luaja në Serinë A shqiptare dhe 16 në Kombëtaren. Shqipëria ishte ende në dominimin italian. Qeveria italiane dërgoi një mësues të edukimit fizik që merrej edhe me organizimin e ndeshjeve sportive lokale. Ai më pa duke luajtur dhe duke qenë një tifoz i Romës i dërgoi një sinjal klubit kryeqytetas”, – rrëfen jetën e tij, Naim Kryeziu gjatë një interviste të dhënë gjashtë vjet më parë, për sitin e ultrasve të Romës.
“Atëherë nuk e kisha pasaportën italiane dhe flisja vetëm disa fjalë italisht”. Ndeshja e parë e Kryeziut ishte ajo kundër Barit të Riza Lushtës, një tjetër emri të madh të futbollit shqiptar, ku Roma fitoi 4-2 (Kryeziu dha një asist në atë ndeshje). “Do të doja të luaja për Kombëtaren e Italisë asaj kohe, por u thirr vetëm Lushta”,- kujton ai.
Gjatë sezonit të tij të dytë te Roma ai ishte rregullisht pjesë e formacionit të parë ku shënonte rregullisht. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në sezonin 1947/1948 ai u transferua të Napoli (kua luajti në Serinë A dhe B), dhe më pas në sezonin 1953-1954 te ekipi i kategorisë së katërt, Torre del Greko, ku dhe ai la futbollin në moshën 35-vjeçare. Gjatë karrierës së tij në Itali, Kryeziu në 330 ndeshje shënoi 73 gola, 50 prej tyre në Serinë A (15 në B). Gjakovari, (i lindur më 4 janar 1918) ishte i dyti futbollist shqiptar pas Riza Lushtes që luajti në Serinë A italiane, duke u shndërruar në një nga futbollistët më të fashmëm gjatë 10 sezoneve (1939-1953) me dy nga klubet me të adhururara në Itali, Romën dhe Napoli, teksa në vitin 1963 pati fatin të jetë për disa ndeshje edhe trajneri i Romës, i pari shqiptar dhe i vetmi shqiptar që drejtoi një skuadër në Itali.
Flamuri shqiptar përkrah emrit të Kryeziut (apo Krieziu siç njihet në Itali) është ndër tre më të famshmit e huaj (dy të tjerët janë argjentinasit Enrike Gonzales Guaita dhe Arturo Kini Luduenja) që kanë luajtur për Romën e viteve 1927-1945, pra në një histori thuajse 18-vjeçare të skuadrës kryeqytetase, periudhë në të cilën fitoi vetëm një titull atë të edicionit 1941-1942. Kryeziu ishte një ndër më të vlerësuarit e trajnerit austro-hungarez, Alfred Shafer, sidomos për shpejtësinë e tij.
Shqiptari mbetet një nga ikonat e Romës dhe është i përmasave të Luixhi Alemandti, Amadeo Amedeit, Fulvio Bernandinit, Augusto Fazanelit, Fosko Rizortit, e qindra emrave të tjerëve që u bënë të famshmën në vitet 1945-2007, përshirë edhe kampionë bote të tillë si Bruno Konti, Rudi Fëler, Françesko Totin e të tjërë.
“Italianët” e Shqipërisë Naim Kryeziu, Riza Lushta dhe Loro Boriçi janë tre pionierët e futbollit modest shqiptar që bënë bujë në Itali në vitet 1940-1950.
Naim Kryeziu luajti për Romën e Napolin, Riza Lushta për Barin, Juventusin (fitoi Kupën e Italisë në vitin 1942), Napolin, ndërsa shkodrani Loro Boriçi, futbollisti më i madh shqiptar i të gjitha kohërave luajti për Romën e Lacion.
Blerim Vula: Naim Kryeziu, ishte dhe mbetet futbollisti më i suksesshëm shqiptar në histori
Naim Kryeziu ishte një figurë shumë e shquar e sportit dhe e futbollit shqiptar. Nuk thash rastësisht e sportit, sepse ai, para se të bëhëj futbollist me nam, ishte atlet poashtu shumë i dalluar. Krahasimi i sportistëve të brezave të ndryshme për cilësinë që e disponojnë nuk është fare i preferueshëm, sepse, në kohëra të ndryshme, kriteri është i ndryshëm dhe çmohen cilësi të ndryshme. Prandaj, me këtë rast, nuk dua të them se Naim Kryeziu ka qenë futbollisti më i mirë, më cilësor që e ka dhënë ndonjë herë shqiptaria. Por, me bindjen e plotë dhe sigurinë maksimale dua të them se i ndjeri Naim Kryeziu, ishte dhe vazhdon të mbetët futbollisti më i suksesshëm shqiptar në histori. Dëshmia më e mirë për këtë konstatim është fakti se, askush para tij e as pas tij, nuk ia ka dalur që 12 vite radhazi të luaj si titullar në njërin ndër kampionatet më të forta të Evropës, në Serinë A të Italisë, dhe, madje atje të fitoi edhe titullin e kampionit të Italisë.
Edhepse si fare i ri e braktisi Gjakovën për të shkuar në Tiranë, edhepse asnjëherë nuk e veshi fanellën e klubit gjakovar, edhepse, poashtu si fare i ri, shkoi në Itali, Naim Kryeziu ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për afirmimin e Gjakovës, të Kosovës dhe të shqiptarëve. Ai, asnjëherë, nuk ka hezituar që në Itali të prezentohet si shqiptar, si kosovar, si gjakovar. Këtë e ka bërë madje dhe në ato kohëra, kur, të prezantohesh si shqiptar në Itali, nuk ka qenë aspak e lehtë. Por, z.Kryeziu këtë e bënte, sepse ishte i madh.
Krahas shkrimeve që i kam bërë për te, kam pasur fatin e mirë që më 1996 të njoftohem për së afërmi me këtë legjendë të futbollit shqiptar. Asokohe patëm organizuar një prezantim publik të të ndjerit, ku patën marrë pjesë më shumë se 200 veta, çka e pati emocionuar shumë z.Kryeziu. Po aqë i emocionuar ai ishte dhe pak ditë më vonë, kur, kryetari i atëhershëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, i ndjeri Rexhep Abdullahu, i pati organizuar një pritje të përzemërt, me ç’rast e pati shpallur edhe anëtar nderi të kësaj Federate.
Për një njeri që kishte kaluar nëpër tërë atë famë sportive në Itali, emocionet e tilla që i pati përjetuar në Gjakovë dhe në Prishtinë, vetëm sa dëshmojnë dashurinë e tij të pafund për vendlindjen e tij, për Gjakovën, për Kosovën.
Në disa takimet e fundit që i kam pasur me gazetarin më të mirë sportiv në botën shqiptare, të nderuarin Besnik Dizdarin, pos tjerash edhe bashkëpunëtorin e gazetës më të madhe të futbollit në Botë, ”Frans Futboll” ai nuk ka pra me insistimin e vetë të vazhdueshëm se Gjakova ia ka borxh kësaj figure që stadiumit të qytetit t’ia jep emrin e Naim Kryeziut. Vlerësimet e z.Dizdari, kurrë nuk kanë qenë sipërfaqësore apo të nxitura nga emocionet momentale, dhe këto vetëm sa e përforcojnë bindjen time se Naim Kryeziu ishte vërtet i madh.
Masar Valla kryetar I Shoqatës “Naim Kryeziu në Gjakovë
Valla theksoi se kjo shoqatë përbehet nga fansat e legjendës, dhe se lajmi për vdekjen e tij i ka pikëlluar tej mase. Ai përmendi shumë aktivitete që kjo shoqatë ka zhvilluar në popullarizimin e futbollit dhe iniciativën për vënien e emrit të tij stadiumit të futbollit në Gjakovë. Ai me këtë rast kujtojë një pjesë nga libri i Petro Markos ku paraqitet si protagonist Naim Kryeziu. Shkrimtari shkruan:
-Romë. Një ditë ( Qershor -1944) shokët e Misionit Jugosllav më thanë se skuadra partizane jugosllave e futbollit do të luante me skuadrën e futbollit të Armatës së Mesdheut , dhe kërkuan që dhe Naim Kryeziu të merrte pjesë në këtë lojë ,pasi Naimi ishte një futbollist i shquar I Romes. I thashë Naimit, dhe ai, si Kosovar ,si Gjakovar më tha : ‘ Unë marrë pjesë në lojë me një kusht ; që skuadra partizane jugosllave të quhet skuadra partizane Shqiptaro-Jugosllave ,se unë vlej sa gjithë ata lojtarë të “partizanit” Jugosllav .Këtë kusht nuk e pranuan Jugosllavet,prandaj Naimi nuk luajti.
Kjo pjesë është marrë nga libri i Petro Markos –shkrimtar dhe revolucionar.“ Intervistë me vetveten” f.417, botuar në Tiranë viti 2000
Në emër të familjes Kryeziu falënderoi Burim Kryeziu
Edhe pse ai ka jetuar dhe punuar në Itali gjithnjë ka qenë i lidhur me familjen e tij dhe Gjakovën. Unë kamë vazhduar kontaktin me xhaxhain qysh nga babi im (si fëmijë) kur çdo të 5 ditë vinte nga një letër dhe anasjelltas. Momentet më të vështira për te kanë qenë gjatë luftës deri sa nuk dëgjoj për neve. Ka treguar interesim të jashtëzakonshëm për çdo kënd që e ka njohur si dhe për vendin ku e ka kalua fëmijërinë. Ka qenë shumë i brengosur për Kosovën dhe sportin Kosovarë
Vitin e kaluar isha në vizitë te Xhaxhi në Romë me Nektarin ,djalin tim. Edhe pse kishte mjaftë moshë ka qenë shumë vital dhe i disiplinuar, i butë ,i sinqertë dhe thellësisht i lidhur me çdo sport. Në moshën 60 vjeçare kërcente nga trampoline në pishinë e të gjithë për rreth i jepeshin komplimente. E gjithë lagjja e njihte , e përshëndetshin me ngrohtësi e dashuri. I kishte bërë të gjithë për veti. Gjithnjë është prezantuar shqiptar dhe është mburrur me prejardhjen e vetë.