
Rezultatet e maturantëve të Gjakovës, në testin e maturës, sivjet ishin më të mira se vitin e kaluar, por, megjithate suksesi i tyre është nën mesataren kosovare. Në fakt, sipas njoftimeve që janë publikuar nga MASHT-i, suksesi i maturantëve në testin e maturës në nivel të Kosovës është mbi 64%, ndërsa në 5 qendrat e shkollimit të mesëm në Gjakovë, vetëm rreth 50%. Nga 2.032 maturantët gjakovar që sivjet iu nënshtruan testit të maturës, ate, me sukses e kaluan vetëm 1.014 veta. Drejtoresha komunale e arsimit në Gjakovë, Silvana Haxhikadriu ka shpjegim për këtë.
“Pikë së pari dua të them se jemi të kënaqur që sivjet rezultatet janë më të mira se vjet, ndërsa fakti se kjo megjithate është dukshëm nën mesataren kosovare, shpjegohet me të dhënën se në këtë drejtim, ndikim shumë negativ ka pasur mospërgatitja e duhur e përsëritësve, të atyre që vjet nuk kanë mundur të kalojnë testin e maturës. Fjala vjen, mjafton të thuhet se në shkollën “Kadri Kusari” nga 122 përsëritës vetëm 9 ishin pozitiv, ose në ate “Nexhmedin Nixha” nga 102 vetëm 12 kanë kaluar testin, e kështu me radhë, dhe të bëhët e qartë se çfar ndikimi negativ në bilansin përfundimtar të suksesit kanë pasur përsëritësit” ka shpjeguar Silvana Haxhikadriu.
Nga 5 shkollat e mesme, në testin e maturës, edhe sivjet, suksesin më të mirë e ka arritur gjimnazi “Hajdar Dushi”, ku, nëse nuk llogariten përsëritësit, kalueshmëria ishte madje 80,37%, edhepse suksesi në paralelet e ndara të kësaj shkolle në Bishtazhin e Cërmjan ishte shumë i ulët. Llogaritur në tërësi (me përsëritësa) suksesi i gjimnazistëve arriti kuotën e 74,62%. Do theksuar se, në këtë shkollë, ka pasur paralele ku vetëm një nxënës nuk e ka kaluar testin, që dëshmon për suksesin vërtet të lartë të gjimnazistëve.
Duke e llogaritur edhe rezultatin e përsëritësve, shkollat e tjera kanë arritur këto rezultate: shkolla e mjekësisë “Hysni Zajmi” – 61,5%, shkolla profesionale “Gjon Nikollë Kazazi” – 55,88%, shkolla ekonomike “Kadri Kusari” – 36,72%, ndërsa suksesin më të dobët, sikurse edhe vitin e kaluar, e kanë arritur maturantët e shkollës teknike “Nexhmedin Nixha” – vetëm 17,65%.
Suksesi nuk ishte i mirë as në gjimnazin e posapavarësuar në Rogovë të Hasit “Asllan Berisha”, ku, nga 60 maturantë, vetëm 17(28,3%) kanë qenë pozitiv.
“Për testin e sivjetëm të maturës, kemi bërë përgatitje më të mira në të gjitha shkollat, prandaj rezultatet janë më të mira se vjet, mirëpo tash duhet ta gjejmë “ilaçin” se si të jenë më të suksesëshëm përsëritësit, në mënyrë që të mos prishet suksesi i përgjithshëm” ka thënë Haxhikadriu.
Silvana Haxhikadriu: Jemi të kënaqur që sivjet rezultatet janë më të mira se vjet, ndërsa fakti se kjo megjithate është dukshëm nën mesataren kosovare, shpjegohet me të dhënën se në këtë drejtim, ndikim shumë negativ ka pasur mospërgatitja e duhur e përsëritësve, të atyre që vjet nuk kanë mundur të kalojnë testin e maturës
Pa i llogaritur përseritësit, në shkollën e mesme ekonomike “Kadri Kusari” këtë herë është arritur sukses më i mirë se një vit më parë. Prej 213 maturantëve testin e kaluan 114 sish. Krahasuar me vitin e kaluar, maturantët e kësaj gjenerate ishin më të mirë për 13 %.
Marrë në përgjithësi rezultatet e maturantëve gjakovarë, nga zyrtarët e arsimit vlerësohen si më të suksesshme për faktin se sivjet ishin bërë përgatitje më të mira se sa viteve tjera, ndërsa një nga shkaqet e mos kalimit të pragut të kalueshmërisë nga një numër i maturantëve, llogaritet edhe stresi I madh që kaplon ne ditën e testimit.
“Ankthi që po i kaplon nxënësit para testimit, duke menduar se për një çast po humbin gjithçka, po reflekton në sigurinë e tyre për të shprehur dijen e përfituar”, theksojë Sinan Hajdari drejtor i shkollës së mesme ekonomike













