
Nëse në Kosovë është prodhuar art, burimi është Gjakova
Përurimi i objektit të ri të Shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, për të cilin Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë investoi mbi një milion euro, solli gëzim të madh për 250 nxënësit dhe për mësimdhënësit e kësaj shkolle. Shkolla e re ka një sipërfaqe prej 1.420 metra katrorë me 9 klasa mësimi, 20 dhoma të mësimit individual, një dhomë për dëgjim të muzikës, sallë koncertale me 270 ulëse, sallë të arsimtarëve dhe hapësira të tjera përcjellëse.
Në përurimin solemn të këtij objekti modern mori pjesë edhe ministri i MASHT-it, Enver Hoxhaj, i cili këtë shkollë e vlerësoi si një arritje të madhe. Ngado që mysafirët vizitonin ambijentet e shkollës së re të muzikës, ndjeheshin tingujt e muzikës që vinin nga nxënësit e kësaj shkolle që ishin vendosur nëpër korridoret…Ata me këngët dhe interpretimet tjera në piano e viloinë dëshmonin gëzimin e madh që u kishte sjellë ky moment, I paharruar I inagurimit të shkollës.
“Gjakova është vatër e kulturës në Kosovë prandaj e ka merituar një objekt të tillë, ndërsa ndërtimi i kësaj shkolle paraqet një ngjarje të veçantë, sepse kjo është vatër arsimore e ndërtuar në Kosovën e re, shtet i pavarur”, tha Hoxhaj, duke theksuar se brezave të rinj nga dita në ditë po u ofrohen kushte më të mira për mësime dhe studime.
Sipas tij, nga klasat e kësaj shkolle do të dalin profesionistë, të cilët do të vazhdojnë traditën e qytetit për muzikën.
Ai tha se për të është një ditë e veçantë, pasi që në javën e parë të nisjes së detyrës së ministrit të Arsimit, ai kishte vizituar objektin e vjetër të kësaj shkolle.
“Kjo shkollë është një falënderim për shumë gjenerata të qytetarëve të Gjakovës, për ata që kanë emër të madh e për ata që ndoshta në publik janë të panjohur”, tha ai.
Sipas Hoxhës ky objekt është edhe një dëshmi se si po ecën përpara Kosova.
“Kjo shkollë është një dëshmi se ku kemi qenë, kush jemi dhe ku jemi. Është një dëshmi e një rrugë të gjatë që kanë ndjekur qytetarët e Gjakovës dhe Kosovës.
“Popujt në situata të krizës, ndoshta nuk mund të prodhojmë shumë shkencë, por në situata të krizës mund të prodhojmë art. Nëse në Kosovë është prodhuar diku art, padyshim se ky art dhe kjo kulturë është prodhuar në Gjakovë. Prandaj, jam shumë i nderuar që gjendem më monumentin e artit dhe të kulturës, që në Kosovë e ka emrin Gjakovë dhe kjo shkollë i ka takuar një qyteti që i ka dhënë shumë Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, pas inaugurimit.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të premten në darkë ka marrë një dhuratë nga këngëtari Ismet Peja, një CD të fundit të tij. Ndërsa, gjatë ceremonies, ai e ka quajtur Ismet Pejën “Pavaroti i Kosovës”.
Në kompletimin e shkollës me vegla muzikore dhe ngrohje solare në një vlerë prej 150 mijë euro ka ndihmuar edhe çifti zviceran, Dorethea dhe George Fankhauser- Ritter, për të cilët ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Lukas Beglinger, tha se “janë dëshmia më e mirë e përkrahjes edhe në fushën e kulturës të popullit zviceran për Kosovën”.
Kuvendi Komunal i Gjakovës për këtë objekt ka ndarë parcelën në qendër të qytetit, ndërsa kryetari i Komunës, Pal Lekaj duke falënderuar MASHT-in për këtë investim dhe donatorët zviceran, theksoi se “investimi në vepra të artit është investim në ardhmëri”.
Lekaj rikujtoi traditën e madhe të Gjakovës për kulturën dhe talentët e shumtë që i kanë dhënë skenës shqiptare dhe ndërkombëtare vlera të mirëfillta artistike.
Ai ka kujtuar disa prej emrave që kanë dal nga kjo shkollë që tashmë kanë zënë vende pune deri në filarmoninë e famshme të Vjenës, si Shkelzen Doli, Rrauf Dhomi, Zeqirja Ballata, etj, ndërsa vet Gjakovën e ka vlerësuar si vend ku ruhet dhe kultivohet tradita ngase në këtë qytet arti ka mbijetuar ngase ka patur krijues, muzikantë, poetë.
Lukas Begulngar, ambasador zviceran në Kosovë i cili ishte prezent ka falënderuar të gjithë që kanë ndihmuar për ndërtimin e këtij objekti pikërisht në dyzetvjetorin e themelimit të saj.
Me këtë rast u shfaq edhe një koncert solemn i orkestrës dhe korit të Shkollës së Muzikës.
Për të qenë programi akoma më i pasur artistikisht ishte përkujdesur vet drejtori i shkollës, prof.Astrit Pallaska që me Korin e Fëmijëve të Qytetit të dirigjuar nga ai por edhe me Korin e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” nën dirigjimin e prof. Klodina Kryeziu dhe me orkestrën e shkollës të dirigjuar nga prof. Pëllumb Vula ka sjellur tek publiku një ndjesi të posaçme artistike. Me vëmendje u ndoq edhe koncerti “Kosovaambient song” nga grupi zviceran “Broken Dreams” me këngëtaren e shquar Alesandra Prusa. Koncerti solli mesazhet ambientaliste të sjella nga fëmijët e Kosovës përmes këngëtares zvicerane e të kompozuara nga kompozitorët e Kosovës .
Çka thanë nxënësit për shkollën e re?
Fjolla Gllogjani: Jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj shkolle, sepse është një objekt i mirë me kushte të veçanta.
Yllnor Kurti: Jam në instrumentin kitarë. Këto kushte të mira do të zhvillojnë edhe diturinë tonë për të ardhmen në instrumentet tona.
Arjana Krasniqi: Ndjehem e priveligjuar që jam nxënëse e kësaj shkolle, me standarde evropiane e cila është e shquar me talent të shumtë.
Gresa Rrahmani: Jam në instrumentin flaut dhe piano. Diçka e veçantë që është në shkollën tonë padyshim se është salla koncertale e cila na jep mundësi me komunikua me publikun. Një komunikim i tillë me publikun do të na ndihmojë shumë në profesionin tonë të ardhshëm.
Astrit Pallaska:
Gjakova ka pas fatin të gëzoi një objekt që ka munguar për 40 vite. Jemi të vetmit në rajon me një objekt me të gjitha parametrat akustike dhe me sallën koncertale që është nevojë për çdo institucion muzikor.
Enver Hoxhaj:
Ndërtimi i kësaj shkolle të bukur është dëshmi e fuqishme e një Kosove moderne që po e ndërtojmë çdo ditë. Bota ka ndryshuar shumë dhe Republika e Kosovës po ndryshon çdo ditë. Kjo shkollë e re e përuruar bashkë me miqtë tanë, është edhe një dëshmi e asaj se: ku kemi qenë, Kush jemi dhe Ku jemi?. Është një dëshmi e një rrugë shumë të gjatë që e kanë ndjek qytetarët e Gjakovës dhe të Kosovës. Nëse në Kosovë diku është prodhuar art, padyshim se ky art dhe kjo kulturë është prodhuar në qytetin e Gjakovës.
Pal Lekaj :
Edhe një vatër të diturisë po e përurojmë në Gjakovën e traditës në kulturë, në qytetin e arsimit dhe krijimtarisë, në vendin ku ruhet dhe pasurohet trashëgimia shpirtërore. Edhe një partiturë në muzikalitetin e këtij qytetit prej të cilit pasqyrohen tiparet etnologjike, folklorike dhe artistike në bashkëkohësi. Këtu në Gjakovë ka një lidhje të hershme e të gjatë ky intelekt me krijuesit e këtij arti. Një shkollë muzikore e dalë nga këngëtarë dhe kultivues të saj vazhdojë ta ruaj traditën nga një emër dhe një gjeneratë në tjetrën me krijues që edhe sot janë bërë në art akademik, bëjnë këngë dhe janë argëtues të mirëfilltë.













