Një nga legjendat e futbollit gjakovar, Jakup Kuqi të hënën ka ndërruar jetë. Ai ka vdekur në moshën 79-vjeçare, dhe I takonte gjeneratës së artë të “Vëllaznimit” dhe ishte një ndër figurat e respektuara të futbollit kosovar.
Ngushëllime për familjen Kuqi ka dërguar KF Vëllaznimi.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Jakup Kuqit, ish‑futbollist i gjeneratës së artë të KF Vëllaznimit të viteve 1965-1975.
Në emër të klubit, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe ndajmë me ju dhimbjen e kësaj humbjeje. Jakupi do të kujtohet përjetësisht për kontributin, pasionin dhe vlerat që la në sportin gjakovar dhe në futbollin kosovar”, thuhet mes tjerash në ngushëllimin e KF Vëllaznimi.

“Me pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Jakup Kuqi, prandaj në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Jakup Kuqi, i lindur më 12 qershor 1946, ishte pjesë e gjeneratës së artë të Vëllaznimit dhe një ndër figurat e respektuara të futbollit kosovar. Si futbollist, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit gjakovar, duke qenë pjesë e Vëllaznimit, kur klubi u shpall kampion për herë të parë në histori në sezonin, 1967/1968. Ai gjithmonë do të kujtohet për talentin, përkushtimin dhe dashurinë e madhe ndaj kësaj loje të bukur. Në këto çaste të rënda dhimbjeje, jemi pranë jush për të përballuar këtë humbje të madhe, e cila nuk është vetëm e familjes suaj, por edhe e gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë. Emri dhe kontributi i Jakup Kuqit do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së KF Vëllaznimit dhe futbollit kosovar”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.